Kina ndryshon strategji ushtarake, ushtria del nga pozicioni i mbrojtjes

26/05/2015 00:00

Në mesin e tensioneve të shkaktuara nga pretendimet territoriale në detin e Kinës Jugore, Pekini ka vendosur të ndryshojë strategjinë ushtarake, duke i kushtuar vëmendje të veçantë rritjes se kapaciteteve detare.

Fokusi tanimë do të jetë tek mbrojtja në det të hapur, e konfirmuar kjo në dokumentin e politikave të bërë publik prej vetë Këshillit Shtetëror Kinez.

Forca ajrore e Kinës, thuhet më tej, do ta kthejë vëmendjen nga mbrojtja territoriale ajrore tek mbrojtja dhe ofensiva, ndërsa ushtria do të implementojë masa për rritjen e lëvizshmërisë së saj globale.

Forcat e artilerisë do të shtojnë kapacitetin e armatimeve me precizion të mesëm e të lartë e përqëndrim të lartë do të ketë nga ana tjetër edhe tek zhvillimi i forcës kibernetike, me qëllim përballimin me efikasitet të sulmeve të rënda të sigurisë.

Katër janë pikat e konsideruara të një rëndësie kyçe në dokument: oqeani, hapësira e jashtme, fuqia bërthamore, hapësira kibernetike. Politika detare sidoqoftë, është ajo që ka ngjallur më shumë debat. Strategjia e re hartohet në një kohë ashpërsimi të relatave me Uashingtonin për shkak të projekteve të Pekinit për të marrë pjesë toke në ishujt e Detit të Kinës Jugore, një arkipelag ky i kthyer në mollë sherri prej kohësh, sepse përveç Kinës, pretendimet territoriale kanë aty edhe Filipinet, Vietnami, Malajzia, Tajvani dhe Brunei.

Shtetet e Bashkuara i kritikuan ashpër planet në fjalë me argumentin se do të ishte njësoj sikur të ndërtoje shtëpi apo rrugë në kontinent. Edhe pse nuk i referohej me emër Amerikës, dokumenti i Pekinit përmend disa “vende të huaja” që fusin hundët në çështje rajonale dhe ndërmarrin vazhdimisht misione mbikqyrje nga ajri dhe deti kundër Kinës, ndaj dhe shteti komunist e konsideron veten të justifikuar që të përgjigjet, siç thotë, me “masat e nevojshme”.

Top Channel