
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e kryeqytetit, Halim Kosova zhvilloi një takim me banorë të komunitetit rom, ku iu përgjigj ankesave të tyre.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga banorët e këtij komuniteti ishte heqja e ndihmës ekonomike dhe pamundësia për të paguar borxhet e energjisë.
“Puna e parë, s’duhet të guxojë askush të vërë dorë tek lekët e shtresës më të varfër në vend, siç jeni ju. Bashkia ka detyrimet e veta karshi çdo qytetari në gjithë territorin e saj dhe unë jam angazhuar që çdo banor duhet të gëzojë të njëjtat të drejta në Bashkinë e Tiranës”, tha Kosova.
Ai tha gjithashtu se, nën drejtimin e tij bashkia do të ngrejë një zyrë të posçame jurdidike, e cila jo vetëm do të dëgjojë, por edhe do të ndihmojë shtresat e varfëra.
“Bashkia ka menduar të ngrejë një zyrë juridike, përkrah meje, që të mbledhë problemet e qytetarëve dhe juristët e kësaj zyre do vrapojnë për t’i zgjidhur ato. Përgatituni që për këtë lagjen këtu të keni një zë të fortë. Bëhuni disa burra e gra, mblidhni edhe mendimet e të tjerëve dhe sigurohuni që problemet të vijnë në zyrën time dhe zgjidhja të kthehet tek ju”, tha Kosova.
Top Channel