Halim Kosova: Shtim të qendrave sociale në përkrahje të personave në nevojë

26/05/2015 00:00

Halim Kosova është i bindur se, nëse një qytet nuk është human, ai nuk është një qytet i mirë per t’u banuar. Për këtë arsye, plani i tij për shtresat në nevojë është shumë ambicioz.

“Në qytet do të ketë dy qendra sociale pranë zonave më në nevojë dhe 3 qendra sociale multidisiplinore. Në çdo komunë, të ketë një qendër sociale, sepse varfëria e ka pushtuar vendin cep më cep. Nuk është se gjendet në një apo në dy lagje, por kudo në Tiranë, dhe unë e kam prekur dhe e kam parë”, tha kandidati demokrat Halim Kosova.

Kandidati i opozitës për Tiranën ka përfshirë në planin e tij edhe ndihmë konkrete për ata me të ardhura minimale.

“Do të heqim detyrimin për tarifat e ndryshme të pushtetit vendor për mbi 12 mijë familjet që përfitojnë nga skemat e ndihmës sociale. Gjithashtu kemi parashikuar ndihmë për moshën e tretë si, në shpërndarjen e ilaçeve, pagesat e faturave, nëpërmjet të rinjve vullnetarë”, tha më tej Halim Kosova.

Si mjek, Halim Kosovës duket se i vjen natyrshëm premtimi për të qenë në krah të njerëzve në nevojë.

“Humanizmin që unë kam pasur për ju në sektorin shëndetësor, tani pres të më jepni mundësinë që ta kthej edhe në jetën e përditshme, dhe këtë me të njëjtin përkushtim e vendosmëri të jeni të sigurt që do t’iua kthej e do të jem një ndër njerëzit më pranë jush”, deklaroi kandidati demokrat Halim Kosova.

Top Channel