Francë, dyshime mbi sigurinë personale të Hollande

26/05/2015 00:00

Mbi sigurinë personale të Presidentit francez, Francois Hollande, janë ngritur dyshime të reja gjatë kësaj të marte, pasi e përditshmja “Le Monde” raportoi një incident, gjatë të cilit një truprojë e tij qëlloi aksidentalisht me armë në pallatin e Elizesë.

Franca, prej kohësh është vendosur në alarm prej sulmeve të militantëve ekstremistë, por kulmin situata e tensionuar e arriti në janar, kur disa të armatosur islamikë hapën zjarr në redaksinë e së përditshmes satirike “Charlie Hebdo”, si dhe në një market hebraik, duke e ngritur gjendjen e sigurisë në pikën maksimale.

Shqetësimet ndaj sigurisë personale të Hollande janë rritur që prej vitit 2014, kur ai u fotografua t’i bënte një vizitë të papritur të dashurës së tij me një motor “scooter”.

“Le Monde” bënte të ditur se incidenti i 10 prillit konsistonte në qëllimin aksidental të një plumbi nga arma e një prej pjesëtarëve të stafit të tij të mbrojtjes (GSPR), pranë tualetit të katit nëntokë të Elizesë. Hollande nuk ndodhej në ndërtesë në atë moment, ndërsa plumbi bëri rikoshet me murin.

E përditshmja franceze citoi burime pranë stafit mbrojtës, një njësi elitë e përbërë nga policisë dhe ushtarakë, e që në fakt është reduktuar nga 93 persona në 60 të tillë, të kenë thënë se episodi ishte tregues tipik i një mangësie në ekipin e tij të sigurisë. Njëri prej burimeve ka bërë të ditur se disa prej truprojave të tij nuk u janë nënshtruar vizitave mjekësore të detyruara me Kushtetutë, ndërkohë që edhe stërvitjet themelore të sigurisë janë anashkaluar.

Një tjetër i tillë tha se, vendimi i Hollande për të vizituar më 7 janar redaksinë e revistës “Charlie Hebdo”, ku xhihadistë të armatosur kishin lënë të vdekur 12 persona, e ekspozoi atë përpara një sulmi të dytë të mundshëm, një taktikë e përdorur zakonisht nga militantët e ISIS në Irak dhe Siri, për të shënjestruar zyrtarë të lartë.

Top Channel