Bojaxhi: Ç’do të bëjë Veliaj me lejet e Ramës?

26/05/2015 00:00

Kandidati i pavaruar për Tiranën, Gjergj Bojaxhi, duke iu referuar projekteve për ngushtimin e parkut të liqenit për llogari të ndërtimeve, kërkoi sot shpjegime nga kandidati i mazhorancës, Erion Veliaj, se çfarë do të bëjë me projektet e firmosura nga ish-kryetari i bashkisë Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari aktual Lulzim Basha.

“Në vend që të merret me kandidimin tim, zoti Veliaj duhet t’i bëjë të qartë qytetarëve qëndrimin e tij për kthimin e parkut të liqenit në një shesh ndërtimi. Konkretisht, ai duhet t’i përgjigjet këtyre pyetjeve: A do e anullojë zoti Veliaj vendimin Rama-Berisha-Basha për kthimin në tokë ndërtimi të rreth 70 hektarëve sipërfaqe përgjatë kurorës së Parkut të Liqenit? Unë do ta anulloj këtë vendim me referendum. A do ta lejojë zoti Veliaj ndërtimin e 15-katëshit në pjesën e parkut përballë Fakultetit Ekonomik, leje që ndodhet në tavolinën e Kryetarit të Bashkisë për firmë? A do i lejojë zoti Veliaj ndërtimet e planifikuara në territorin ku është sot Garda? Unë nuk do t’i lejoj”, tha Bojaxhi.

“Pak ditë më parë, Veliaj kërkoi që unë t’i vija emër denoncimeve të mia. Emrat e atyre që qëndrojnë mbrapa këtyre ndërtimeve, unë i kam treguar me firmë dhe me vulë. Emrat e atyre që përfitojnë nga këto ndërtime, Veliaj mund t’i gjejë në listën e të ftuarve në dasmën e tij”, shtoi kandidati i pavarur.

Top Channel