Berat, konkurs ndërkombëtar për ndërtimin e ishullit të Osumit

26/05/2015 00:00

12 skuadra arkitektësh ndërkombëtarë shpalosën propozimet e tyre për projektin e ishullit të Osumit në Berat, gjatë një konkursi ndërkombëtar. Qëllimi i projektit është të sigurojë lidhjen e ishullit të Osumit me qytetin.

Konkursi synon gjithashtu të përftojë koncepte sa më origjinale dhe vizionare për ndërhyrje arkitekturore, duke respektuar bashkëjetesën midis jetës urbane dhe natyrës.

Kryeministri Rama deklaroi se Berati është një thesar i çmuar i trashëgimisë kulturore të vendit tonë, por që u la në harresë për vite me radhë. Pas marrjes së qeverisë nga koalicioni i majtë, – theksoi kryeministri, – Berati po pëson një transformim rrënjësor.

“Në këto 18 muaj ne jemi krenarë, sepse i kemi hapur rrugë një transformimi të jashtëzakonshëm për qytetin, një transformim që do të vazhdojë me intensitet, pjesë e të cilit është edhe projekti, që shpresojmë të dalë nga ky konkurs”, u shpreh kryeministri Rama.

Prezantohet kandidati i Kuçovës
Rama: Nuk ka krahasim me PD-në, nuk kanë model qeverisjeje

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane në Bashkinë e Kuçovës, Selfo Kapllani, deklaroi se Partia Demokratike nuk ka asnjë model qeverisjeje. Sipas kryeministrit, në komunat dhe bashkitë e drejtuara nga të djathtët nuk është bërë asgjë, por vetëm janë realizuar projektet e nisura nga qeveria.

“Për të parë qartë dallimin mes nesh dhe atyre, mjafton të shikosh çfarë është bërë në Bashkinë e Kuçovës këto 18 muaj, dhe të shikosh se çfarë është bërë në komunat, që po drejtojnë deri më sot ata të PD-së, në gjithë këto vite. Nuk ka asnjë krahasim, sepse ata nuk dinë. Edhe kur dinë, ata nuk duan që të drejtojnë punët e komunitetit. Në 20 e kusur vite nuk arritën të krijojnë një model të vetëm, për të thënë sesi dinë të drejtojnë një komunitet, një qytet, një bashki, apo një komunë. Parafytyroni që, më të mirin e tyre kanë atë të Tiranës, i cili në 4 vite nuk bëri asnjë gjë”, deklaroi Rama.

Top Channel