Basha: Presioni ndaj opozitës shton bashkimin tonë për fitore

26/05/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me banorë të Petrelës dhe Vorës. Mungesa e mbështetjes dhe subvencioneve për bujqësinë, rritja e çmimit të energjisë dhe fuqisë blerëse kanë qenë shqetësimet që banorët e Petrelës i kanë shprehur kryetarit të opozitës.

Dy vjet më parë, Edi Rama u premtoi subvencione dhe ulje të çmimit te naftës, por edhe pse qeveria po bën dy vjet në pushtet, banorët shprehen se nuk kanë parë ende asgjë. Zoti Basha theksoi në fjalën e tij që Rama-Meta, jo vetëm nuk mbajtën premtimet, por votuan kundër dhe propozimeve të Partisë Demokratike për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.
 
“Premtuan që do të hiqnin akcizën e naftës për bujqësinë, premtuan një fond prej 40 milionë dollarësh në vit për bujqësinë. A kanë parë gjë fermerët e Petrelës nga këto fonde? Sa prej jush kanë marrë subvencione në këto dy vite? Ne i çuam propozimet që ju të paguanit më pak kur blini farërat, fidanët, lëndët e tjera të para; propozuam të hiqej taksa e qarkullimit dhe këta i rrëzuan pa argument, prandaj nuk vijnë këtu të flasin për këto probleme. Harxhojnë orë e orë të tëra duke sulmuar opozitën, duke sulmuar kandidatët e opozitës. Pse e bëjnë këtë? Sepse po mos ta bëjnë këtë, duhet të japin përgjigje për premtimet e pambajtuara, sepse po nuk bënë këtë, duhet t’ju ofrojnë një zgjidhje, por zgjidhje nuk kanë”, u shpreh Basha.
 
Sipas opozitës, aktivistët dhe kandidati i PD-së në Vorë janë vënë nën presionin e hapur të pushtetit dhe bandave të lidhura me to. E njëjta gjë po ndodh në Malësi të Madhe, Shkodër, Vaun e Dejës, Durrës e shumë qytete të tjera.

Nga Vora, kryetari i opozitës e ka cilësuar këtë shenjë dëshpërimi të Edi Ramës dhe Ilir Metës që u vjen nga revolta popullore, për t’u dhënë ndëshkimin më të madh që ka ndodhur në 25 vite demokraci, për keq-qeverisjen e tyre. Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se këto presione të dëshpëruara vetëm rrisin bashkimin e shqiptarëve për fitore, ndërsa garantoi se përgjegjësit do të marrin ndëshkimin ligjor.
 
“Edhe në këto ditë, në këto javë ku shqetësimi më i madh i shqiptarëve është papunësia, është varfëria nuk e kanë mendjen as të ofrojnë zgjidhje për ju, as të hapin mundësi për ju, as të krijojnë punë për ju. Ditë e natë janë vërsulur me tatimorë, janë vërsulur me xhandarë, janë vërsulur me banditë, u janë vërsulur aktivistëve të opozitës, u janë vërsulur kandidatëve të opozitës, u janë vërsulur punëdhënësve. Asgjë nuk do të na bëni, përveçse do të shtoni vendosmërinë tonë, guximin tonë, bashkimin tonë për fitore, nuk do t’i shpëtoni llogaridhënies, ora e drejtësisë po afron”, deklaroi Basha.

Top Channel