Vlorë, banorët e fshatit Kocul në grevë urie

25/05/2015 00:00

Një nga zonat më të pasura me burime nëntokësore, siç është dhe zona e Gorishtit në Vlorë, ku prej dekadash ka sjellë të ardhura dhe punësim për banorët e zonës së Koculit dhe Vllahinës, nuk punëson banorët, edhe pse puset e naftës janë në tokat e tyre.

Kjo situatë ka sjellë dhe reagimin e banorëve të fshatit Kocul, të cilët fillimisht kanë bllokuar rrugën për moslejimin e boteve dhe mjeteve të tjera të naftës. Por, duke parë indiferencën e shtetit, si dhe largimin e tyre nga policia, të detyruar për mosplotësimin e kërkesave, 11 prej banorëve kanë hyrë në grevë urie.

Kërkesat e 11 banorëve të fshatit Kocul janë tre: E para, punësimi nga kompania naftënxjerrësë ‘Transatlantik’, e cila shfrytëzon nëntokën e kësaj zone, pasi asnjë nga banorët e këtij fshatit nuk është në punë; e dyta është ambienti, i cili është shumë i ndotur nga gazrat në atmosferë, një shkak që thuajse të gjithë banorët e kësaj zone janë të sëmurë me helme në gjak; e treta kërkesë është rruga, e cila është shkatërruar totalisht nga botet me naftë dhe mjetet e rënda të kompanisë, aq sa për një urgjencë në Vlorë është e pamundur të kalosh në këtë rrugë me makinë të vogël.

Banorët kërcënojnë se greva e tyre e urisë do të vazhdojë derisa qeveria t’u japë një zgjidhje.

Top Channel