Veliaj: Gjelbërim i mjediseve publike të Tiranës dhe pastrim i lumenjve

25/05/2015 00:00

Rehabilitimi i hapësirave të gjelbërta në kryeqytet ishte në fokusin e kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Në një takim në ambientet e Kopshtit Botanik, Veliaj prezantoi 5 pikat e kontratës së tij për zgjidhjen e këtij problemi.

Ja kush janë ato:

1. Rehabilitim dhe gjelbërim i të gjitha hapësirave publike të çliruara nga ndërtimet informale gjatë 2 viteve të fundit në Tiranë;
2. Rigjenerim dhe transformim i ish-zonave industriale të Tiranës në hapësira të gjelbërta dhe në shërbim të komunitetit;
3. Aplikim i projektit “Fasadat e Gjelbërta” me qëllim krijimin e hapësirave të gjelbërta vertikale;
4. Identifikim dhe shndërrim i hapësirave potenciale brenda blloqeve të banimit në hapësira të gjelbërta në partneritet me komunitetin dhe bizneset e zonës;
5. Pastrim nga mbetjet i lumenjve në territorin e Bashkisë së Tiranës, përgjatë gjithë rrjedhës së tyre

Duke u ndaluar te projektet e mëdha për kryeqytetin, Erion Veliaj vuri theksin te Bulevardi i ri i Tiranës, duke mos kursyer as sulmet për Partinë Demokratike.

“Projekti i vitit 2011, të cilin do e aplikojmë ne, është një projekt ku bulevardi zgjatet me gjelbërim dhe jo me pallate. Këta propozuan një projekt ku bulevardi zgjatet me pallate. Pasi morën këtë vendim, i thanë të gjithë “shkëlzenëve” të SHQUP-it që të blinin tokën aty sepse aty do të bëheshin pallate. Pasi bënë këtë, shkuan në një bankë dhe i morën lekët për pallate se garancinë e vinte qeveria. Mirë që hoqën gjelbërimin, por tani na thonë të paguajmë kredinë për ndërtimin e pallateve”, tha Veliaj.

Top Channel