
Stuhi të dhunshme janë përplasur mbi veriun e Meksikës, ku qyteza Ciudad Acuna, si rrallëherë më parë, u përball me një tornado të fuqishme që vrau të paktën 13 vetë.
Shtëpitë e dëmtuara apo të shkatërruara në këtë pjesë të shtetit Coahuila janë me qindra. Ana tjetër e kufirit është bërë skenë përmbytjesh apokaliptike: tre janë të vdekurit në Teksas, ndërsa 12 persona rezultojnë të zhdukur.
Në Meksikë, numri i të plagosurve është me dhjetëra dhe ekziston frika se bilanci i vdekjeve mund të rëndohet akoma më shumë. Tornadoja që goditi Ciudad Acuna-n mbërriti në një moment shpejtësinë gati 300 km/h, thonë zyrtarë vendas.
Shumica e viktimave të saj ishin duke ecur në rrugë, kur tromba e ajrit u afrua me shpejtësi marramendëse duke i zënë në befasi. Në mesin e të zhdukurve është edhe një foshnjë; era e furishme ia shkuli të ëmës karrocën e bebes nga duart.
Sipas kryebashkiakut Evaristo Lenin Perez, kjo është e para tornado e përplasur mbi Acuna që prej krijimit të qytetit, më shumë se 100 vjet më parë.
“Kam parë makina në çatitë e shtëpive, njerëz të vdekur nëpër rrugë, është një kaos i vërtetë”, tha për ‘La Jornada’ një banore e zonës. Edhe pse tornadoja nuk qëndroi shumë, kalimi i saj qe i mjaftueshëm për të shkatërruar komunitetin e vogël.
Gjithçka ndodhi në orët e mëngjesit, kur njerëzit ishin drejtuar për në punë, disa me makinat e tyre, të tjerë me mjetet publike të transportit. Banorët e Ciudad Acuna ishin mësuar me gjëmimet që vinin nga ana tjetër e kufirit, por nuk e kishin përjetuar kurrë vetë një gjë të tillë, ndërsa infrastruktura e qytezës së varfër nuk ishte mjaftueshëm e fuqishme për t’i bërë ballë një goditjeje të tillë.
Në operacionet e kërkim-shpëtimit është angazhuar dhe ushtria, ndërsa ndihmë kanë ofruar edhe shtetet fqinje.
Top Channel