Në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit, nga të dyja kampet, por sidomos në radhët e mazhorancës numri i femrave që kandidojnë për kryetare bashkish është më i madhi i vendosur ndonjëherë në zgjedhjet vendore në Shqipëri.
Rëndësia e femrave në politikë, vendimarrje dhe në qeverisjen, në këtë rast atë vendore, është theksuar e ritheksuar disa herë si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita.
Emisioni “Shqip” me Rudina Xhungën nisi këtë të hënë një cikël emisionesh, me në qendër pikërisht ato, 16 kandidatet femra në shkallë vendi.
Këtë të hënë ishin të ftuara Grida Duma, kandidatja e opozitës për Bashkinë e Durrësit dhe Zamira Rami, kandidate e mazhorancës për Gjirokastrën, gazetarja Eni Vasili, analistët Alfred Lela, Lorenc Vangjeli dhe aktori i “Portokallisë”, Romir Zalla.
I pari që mori fjalën ishte analisti Alfred Lela. Ai tha se nuk besonte shumë tek shifrat e propozuara nga të dyja palët, por tek cilësia.
“Dhe gratë e propozuar këtë herë kanë cilësi mes tyre. Janë mirë si kandidatura”- tha ai.
Kandidatja demokrate për Durrësin, Grida Duma, u zotua të bashkëpunojë me qeverinë qendrore në rast fitoreje.
“Sot, nesër e në çdo moment në zyrën time si kryebashkiake e ardhshme, jam e gatshme që të firmosim një kontratë bashkëpunimi, që do të shkojë drejt një fryme reale dhe serioze, që do të emancipojë frymën e zhvillimeve”- tha Duma.
Kandidatja e mazhorancës për Bashkinë e Gjirokastrës, Zamira Rami, e pyetur mbi bashkëpunimin PS-LSI në bazë tha: “Jemi në një bashkëpunim të plotë. Fushata ka nisur në një frymë të mirë bashkëpunimi dhe kjo duket në çdo takim që unë bëj”.
Grida Duma tha se femrat në politikë duhet të fitojnë besimin e njerëzve që gjërat në Shqipëri bëhen me mirë. “Të rikthehjmë besimin që gjërat mund të bëhen dhe bëhen me mirë”- tha ajo.
Zamira Rami foli për Gjirokastrën, qytet që e cilësoi si “një vepër arti”, e pikërisht për këtë “me një varësi të dyfishtë me Ministrinë e Kulturës sa i takon përgjegjësive dhe kompetencave”.
Nga ana e saj, kandidatja demokrate për Durrësin prezantoi një sërë projektesh, nëse fiton zgjedhjet e 21 Qershorit, por u ndal edhe tek taksat e pushteti vendor, për të ritheksoi zotimin e opozitës për t’i ulur ato me 30 përqind.
Zamira Rami tha se në filozofinë e punës së saj si kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës në themel do të jetë drejtimi me dhe për komunitetin. “Ta konsideroj Gjirokastrën si një familje të madhe, dhe gjithsecilin si një pjesëtar të garës për ta bërë më të bukur atë”- tha ajo.
Por pavarësisht rezultatit të 21 Qershorit, për Lorenc Vangjelin, kandidatet femra duhet të ndjehen fitimtare.
“I janë imponuar shoqërisë shqiptare që në pjesën më të zëshme të saj, është hipokrite. Edhe kur flet për kuota gjinore, përfaqësim të barabartë të grave, nuk e ka më gjithëmend këtë histori. Fitorja është tjetër gjë, dhe nuk e shoh thellësisht të lidhur me votën që do të dalë më 21 Qershor”- tha ai.
Në mendimin e Romir Zallës, shoqëria shqiptare është një shoqëri patriarkale dhe ka nevojë për figurën e udhëheqësit, ndaj, sipas tij, suksesi i grave në politikë është mjaft i kushtëzuar nga kjo.
Top Channel