Shkodër, Keti Bazhdari: Projekte ambicioze për qytetin

25/05/2015 00:00

Kandidatja e majtë për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari, ka zhvilluar pasditen e së dielës një takim me qytetarët tek sheshi “Isa Boletini”.

Bazhdari u shpreh se qeveria e mori drejtimin e vendit e zhytur në borxhet korruptive të qeverisë demokratike, me efekt tek ekonomia e vendit, “por falë reformave të suksesshme që po realizohen dhe projekteve ambicioze që kemi për Shkodrën, pas zgjedhjeve do të ketë një sërë investimesh konkrete që do të kenë impakt në rritjen e punësimit dhe të zhvillimit ekonomik të bashkisë”.

“Ne kemi paraqitur para jush një program konkret, të prekshëm dhe të realizueshëm, që mbi të gjitha ka në bazë të tij transparencën përballë qytetarit. Jemi këtu për të dëgjuar çdo këshillë apo sugjerim tuajin, pasi çdo gjë duam ta bëjmë bashkë”, tha Bazhdari.

Ndërkohë, një nga qytetarët që mori fjalën u shpreh se ai kishte disa vite që kishte ardhur nga Dukagjini dhe jetonte në lagjen “Mar Lula” dhe, sipas qytetarit, në këtë lagje i gjithë komuniteti është harruar dhe diskriminuar qëllimisht, madje ky komunitet është lënë dhe pa shkollë.

Gjithashtu, edhe shumë qytetarë të tjerë shprehën pakënaqësi për mënyrën se si priten sot qytetarët në Bashkinë e Shkodrës, ku mbizotëron arroganca dhe indiferenca.

Top Channel