PD hap fushatën në Shkodër, Ademi: Më shumë për qytetin

25/05/2015 00:00

Partia Demokratike hapi në qytetin e Shkodrës fushatën për kandidaten Voltana Ademi.

Kandidatja deklaroi se do të punojë me përkushtim për të bashkuar të gjithë energjitë për Shkodrën.

“Të gjithë bashkë jemi të ndërgjegjshëm që situata ekonomike në vend, por sidomos ajo në Shkodër ka pësuar një rënie dramatike përgjatë dy viteve të fundit të qeverisjes Rama-Meta. Koalicioni i majtë PS-LSI ka mbjellë varfëri, varfëri ekstreme, papunësi, pasiguri për jetën. Pa pasur një rrugë shpëtimi, shkodranët gjithnjë e më shumë po largohen nga Shqipëria pasivisht, me gra dhe fëmijë, si në fillim të viteve ’90. Qeveria thotë se këta njerëz ikin të mashtruar nga krimi i organizuar, por i vetmi organizator dhe nxitës i kësaj të keqeje të madhe është dyshja Rama-Meta. Jemi këtu për të treguar vendosmërinë tonë për të rikthyer dinjitetin njerëzor nëpërmjet punës dhe përgjegjshmërisë. Ne duhet të bëjmë më shumë për Shkodrën tonë, Shkodrën e kulturës dhe traditës”, tha Ademi.

Top Channel