PD, Duma: Dyfishim të linjave të transportit urban në Durrës

25/05/2015 00:00

Kandidatja demokrate për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma ka premtuar dyfishim të linjave të urbanit në qytetin bregdetar. Ajo ka udhëtuar me një linjë të Porto-Romanos, ku ka biseduar me qytetarët lidhur me transportin publik.

Ata thanë se mungojnë autobusët në masë, nuk ka orare të shpeshta, mungojnë abonetë dhe nuk ka mbulim në mjaft zona të qytetit dhe rrethinat.

Znj. Duma u shpreh se sot qyteti mbulohet në rreth një të tretën e nevojës me shërbim transporti publik. Ajo u shpreh se Bashkia do të hapë linja të reja në mjaft zona të qytetit dhe rrethina, si dhe do të ketë tarifa zero për shtresat në nevojë.

“Do t’i shtojmë linjat e autobusëve dhe do t’i dyfishojmë ato. Do të shtrijmë linja edhe atje ku nuk ka. Qyteti do të ofrojë linja transporti publik me abone për studentët, me tarifa zero për invalidët, me mundësi edhe për invalidët me karroca. Edhe për fëmijët e shkollave po projektojmë një linjë të dedikuar vetëm për shkollat. E pashë të gjithë initerarin e linjave të urbanit. Nuk është as një e treta e nevojave të Durrësit. E njëjta gjë është edhe me Plepat, edhe me Spitallën, dhe e njëjta gjë është edhe me universitetin. Gjithandej mungojnë urbanët për kërkesat e qytetarëve”, tha Duma.

Duma premtoi gjithashtu edhe linjë aboneje për studentët e Durrësit, të subvencionuar nga bashkia.

Top Channel