Kooperacioni Italian, 800 mijë euro për pajisje mjekësore

25/05/2015 00:00

Plot 800 mijë euro janë investuar nga Kooperacioni Italian në Poliklinikën e Specialiteteve numër 2 në Tiranë, për pajisjen e saj me ekografi dhe radioskopi të parametrave bashkëkohorë.

“Vetëm javët e fundit kemi vënë në punë në 3 poliklinika specialitetesh, dy në Tiranë dhe një në Korçë, pajisje të reja ekzaminuese. Këtu bëhet fjalë për një investim prej 800 mijë euro, për një aparaturë që përmirëson shërbimin në këtë klinikë. Kjo tregon se jemi në drejtimin e duhur për t’i dhënë personelit mjekësor mundësinë që të punojë me mjete bashkëkohore”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Ndërsa drejtoresha e kësaj poliklinike, Mirela Hajdaraj tha se ky institucion mbulon gati një të tretën e banorëve të kryeqytetit, duke ofruar shërbim shëndetësor.

“Pajisjet kryesore janë grafia dhe skopia, sepse deri më sot i kemi pasur në një vend ku nuk futej dot njeri për t’u vizituar. Kjo është një arritje shumë e madhe, sepse tani e tutje popullatës do t’i jepet një ndihmë sa më cilësore dhe adekuate”, u shpreh Hajdaraj.

Kjo është poliklinika e tretë, e cila pajiset me aparaturë moderne, në sajë të një projekti bashkëpunimi me Kooperacionin Italian në fushën e shëndetësisë, që kap vlerën në total prej 11 milionë eurosh.

Top Channel