ISUV: Mielli, me aflatoksinë. Ministria, gjobë kompanisë për kushtet e magazinimit

25/05/2015 00:00

Një sasi mielli i subjektit “Agro Blend” sh.p.k. ka rezultuar me aflatoksinë mbi 2 mikrogramë për kilogramë, që është norma e lejuar nga Bashkimi Europian dhe udhëzimi i Ministrisë së Bujqësisë.

Këto janë rezulatet e analizave te kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare për mostrat e miellit të marra në një magazinë, në datën 15 maj. Këtij subjekti i janë bllokuar më herët 41.3 tonë miell deri në përgjigje të analizave, të cilat rezultuan me aflatoksinë mbi normën e lejuar.

Inspektorët e AKU-së, të cilët kanë ushtruar kontroll në këtë subjekt kanë konstatuar kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare si dhe të ruajtjes së miellit, mungesa të raport-analizave për produktin miell tip 500 dhe 700 si dhe mungesë të praktikave higjieno-sanitare.

Për këtë i është vënë gjobë në masën 400 mijë lekë si dhe i është ndërprerë aktiviteti. Por, në vijimësi të gjurmueshmërisë, inspektorët e AKU-së kanë bllokuar pak më vonë një sasi prej 100 tone miell në kompaninë “Agro Blend” sh.p.k. si dhe 6800 tonë grurë, mostrat e të cilave janë marrë në datën 23 maj dhe janë duke u analizuar pranë ISUV, përgjigjet e të cilave pritet të dalin këto ditë.

Kompania “Agro Blend” është e njohur si kompani në pronësi të Fiqiri Ismailit, kryetarit të Bashkisë së Vorës. Pas deklaratave të shumta se mielli po politizohet, ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp Ministria e Bujqësisë, e cila shprehet e vendosur për të mos lejuar daljen në treg të miellit të ndotur me myk apo mytoksinë, si kërcënues serioz i shëndetit të qyetarëve.

Në deklaratë thuhet se “pikat e shpërndarjes ku u konstatua ndotja e miellit nuk respektojnë standardet e lagështisë, ajrimit dhe temperaturës së ruajtjes duke u shndërruar në burim të prishjes dhe ndotjes së drithërave dhe miellit”.

“Përsa kohë këto pika nuk do t’i plotësojnë këto kritere, ato nuk do të lejohen të shërbejnë si qendra grumbullimi dhe shpërndarjeje të produktit. Dalja politikisht në mbrojtje të shkelësve të standardeve të sigurisë është shkelje flagrante e ligjit të ushqimit, e cila kërkon legjitimim të futjes së prodhimeve të prishura dhe të ndotura në treg”,- thuhet në deklaratën e Ministrise së Bujqësisë.

Top Channel