
Pas betonizimit dhe mënyrës se si financohen fushatat elektorale të kandidatëve për pushtetin vendor, Gjergj Bojaxhi është ndalur tek çështja e të pastrehëve, duke denoncuar bllokimin e banesave sociale të përfunduara prej dy vitesh e që tashmë kanë nisur amortizimin.
“Këtu sot kemi 12 milionë euro investime nga taksat tona publike, 385 apartamente për të pastrehët që janë të bllokuara gjatë kohës që Tirana ka me mijëra të pastrehë. Pse ndodh kjo? Sepse partitë tona politike dinë vetëm të bëjnë teatër politik dhe jo t’u shërbejnë qytetarëve”, tha Bojaxhi, kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës.
Ai thotë që janë më shumë se 1500 dosje të depozituara nga familjet në nevojë për banesat sociale që në vitin 2010 u bllokuan nga demokratët, në mënyrë që shpërndarjen e tyre ta bënte kryetari aktual Basha. Ndërsa tani bllokohen nga socialistët, që t’i shpërndajë, sipas Bojaxhi, kandidati i mazhorancës, në rast të zgjedhjes në krye të Tiranës.
“Kjo duhet të marrë fund. Ka ardhur koha që këto banesa t’ua shpërndajmë të pastrehëve”, tha Bojaxhi.
Top Channel