
Lulzim Basha bëri takime me qytetarët në bashkinë e Lezhës për t’i bindur që t’i bashkohen opozitës në zgjedhjet e 21 qershorit.
Në zonën e Shënkollit kreu i Partisë Demokratike e përshkroi ditën e zgjedhjeve si një mundësi reale që u jepet qytetarëve për të refuzuar me votë qeverinë e mjerimit dhe të arrogancës.
“Nuk i shohin hallet tuaja, nuk duan t’i dëgjojnë hallet tuaja, papunësinë, varfërinë, taksat e larta, çmimet e papërballueshme të karburantit e energjisë ndaj dhe në 21 qershor thonë nuk është koha të merremi me hallet e shqiptarëve. Unë ju them sot nga Shënkolli, 21 qershori është dita e zgjidhjes së halleve tona”, tha Basha.
Në takimin me banorë të Lezhës, ekonomia ishte sërish në fokus, sepse për kreun e opozitës mosmbajtja e premtimeve të qeverisë për punësimin, uljen e taksave, uljen e çmimeve dhe subvencionimin e bujqësisë janë disa nga shkaqet e varfërimit me shpejtësi të shqiptarëve. Dhe sipas Lulzim Bashës me të dy buxhetet e miratuar, qeveria ka vepruar në kundërshtim me interesin e shqiptarëve.
“U çuam amendamentet për hallet e problemet e mëdha të Shqipërisë, për premtimet e tyre të harruara. Rrëzuan amendamentin tonë për uljen e tvsh për energjinë elektrike, nga 20 në 6%, në mënyrë që familjet shqiptare ta paguanin më lirë energjinë elektrike, rrëzuan amendamentin tonë për rritjen e rrogave e pensioneve. Të tilla amendamente rrëzuan një nga një, duke përfshirë amendamentin për punësimin e rinisë ku i propozuam të hiqnin taksat për ato biznese që punësojnë të rinj, për të paktën një vit. Refuzuan kështu, jo propozimet e opozitës por refuzuan hallet e problemet e qytetarëve”, vijoi kreu i PD-së.
Nga Lezha, Lulzim Basha i ofroi qeverisë bashkëpunimin e opozitës, por me disa kushte, prej të cilave asnjë nuk ishte kusht politik.
“Po të pranojnë platformën tonë për uljen e çmimit të energjisë me 25% dhe faljen e kamatë-vonesave për energjinë e ujin anembanë Shqipërisë, për uljen e taksës në nivelin më të ulët në Ballkan, 9%, për rritjen e rrogave e pensioneve përtej indeksimit të inflacionit, për financimin me prioritet të sektorëve të diskriminuar, siç është sektori i bujqësisë, turizmi, për nxitjen e punësimit rinor, përmes një regjimi veçanërisht lehtësues për bizneset që hapin vende pune për të rinjtë, ne jemi gati të bashkëpunojmë sepse për ne pushteti nuk është qëllim më vete por është shërbimi ndaj jush, është qëllim i padiskutueshëm. 21 qershori është dita kur ne do i japim mesazhin tonë më të bashkuar e më të fortë që ka dhënë ndonjëherë Shqipëria demokratike”, tha Basha.
Top Channel