Tiranë, shkollat në kushte të rënda. Inspektoriati: 27 prej tyre me probleme serioze higjieno-sanitare

23/05/2015 00:00

Inspektorati Sanitar Shtetëror ka  konstatuar probleme  të konsiderueshme higjieno-sanitare  në 27 shkolla të mesme dhe 9- vjeçare  të kryeqytetit  çka rrezikojnë shëndetin e nxënësve  dhe mësuesve  që japin mësim në to.

“Prania e lagështisë në klasa dhe korridore, është konstatuar në një numër të madh nga këto shkolla, mbi normat e lejuara, mbi 60 për qind. Për fat të keq çatia pikon në shumë shkolla. Po kështu nyjet hidrosanitare kanë një sërë problemesh, që nga kasetat e prishura, çka ka çuar në lagështirë dhe pikime nga kati në kat, në një sërë shkollash. Biles në disa nga këto shkolla janë evidentuar tavolina apo karrige të amortizuara nga viti në vit”, thotë Gjergj Koja, kryeinspektor i Tiranës.

Sipas Gjergj Kojës janë lënë procesverbale për përmirësim e këtyre kushteve, por nëse deri në fillimin e procesit mësimor  të  vitit të ri akademik  nuk ka ndryshuar situata, ato riskojnë të mbyllen. Për këtë është njoftuar bashkia e Tiranës,  e cila ka për detyrë rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e tyre.

“Kemi lënë procesverbalet përkatëse. Nëse nuk do të merren masat përkatëse një pjesë e këtyre shkollave do të lihen me vendim mbyllje të përkohshme derisa kushtet të rregullohen. Për shembull në shkollën “Besnik Sykja” lagështira në katin e parë shkon në 1 m, duke përfshirë klasa dhe tualetet. Mjetet hidrosanitare rrjedhin në të tre katet nga kati në kat. Pra, janë disa kushte të papranueshme për zhvillimin e një procesi normal mësimor”, vijon Koja.

Në shkollën “Mihal Grameno” ka probleme të theksuara, jo vetëm me  lagështirën, por dhe  mungesë karrikesh dhe bankash, si  dhe rrjeti elektrik i amortizuar. Probleme të theksuara  me lagështirën dhe rrjetin elektrik janë konstatuar në shkollat e reja ku firmat e ndërtimit kanë kryer punime jo cilësore. Po kështu palestrat e shkollave kanë rezultuar me nivel të lartë lagështire. Ndërsa në shkollën “Ramazan Jarani” dhe “Sabaudin Gabrani” godina e re,  në disa  klasa orientimi i dritës është i gabuar pasi drita bie në krahun e djathtë të nxënësve, në kundërshtim  me normat.

Top Channel