“Është çështje politike”. A nuk është kjo që mendojnë të gjithë, sapo u përmendet “Eurovision”? Sigurisht, pasi ky opinion të krijohet, nëse sheh sesi janë dhënë votat përgjatë 20 viteve të fundit të organizimit të “Eurovision Song Contest”, pa përfshirë Australinë, që merr pjesë për herë të parë si garuese, madje dhe për herë të fundit, sepse është vetëm një surprizë për këtë vit.
Vendet pjesëmarrëse në “Eurovision”, si ata në natën finale, edhe ata që konkurruan në dy gjysmëfinalet dhe që u eliminuan, votojnë duke hartuar një listë me 10 këngët më të preferuara, duke i dhënë 12 pikë më të pëlqyerës, 10 asaj të vendit të dytë, 8 asaj të tretës e kështu me radhë nga 7, 6, 5, 4, 3, 2, 1 pikë për vendet 4-5-6-7-8-9-10.
“The Telegraph” e Britanisë së Madhe ka bërë një analizë të votave dhe pikëve të dhëna nga secili vend kundrejt të tjerëve, që prej vitit 1994 deri në vitin 2014, për të parë sesi “miqësohen” vendet me njëri-tjetrin në kontinentin e vjetër.
Britania është shfaqur tejet cinike në lidhje me çështjen e votimit në “Eurovision”, aq sa në vitin 2013, britanikët sipas një sondazhi rezultonin si ata që kishin bindjen më të fortë se “votimi ishte politik”. Madje në vitin 2008 u tërhoqën si vend organizator për këtë arsye, duke pretenduar se ky kompeticion nuk ishte më “muzikor”. Dhe shumëkush mund të thotë: ata kanë të drejtë!
“Eurovision Song Contest” u themelua në vitin 1956 për të bashkuar vendet europiane pas shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore, por mënyra sesi kanë votuar vendet në të kaluarën tregon se ky kompeticion ka bashkuar disa rajone më shumë sesa disa të tjerë. Edhe pse nuk bëhet “luftë” e vërtetë, disa grupe vendesh tentojnë të votojnë njëri-tjetrin gjatë finales, duke u konsideruar kështu si “vota në bllok”.
Le të marrim si shembull Bjellorusinë, të quajtur shpesh si “vendi i fundit diktatorial i Europës”, i cili u nda nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1990 me shpërbërjen e këtij të fundit. Që prej atëherë, Minsku ka dhënë thuajse gjithmonë, maksimumin e pikëve për Rusinë dhe pjesën më të madhe të atyre të mbetura për Ukrainën. Apo, mjafton të shohim marrëdhëniet mes Greqisë dhe Qipros, të cilat në sytë e britanikëve janë thjesht “qesharake”, e megjithatë këto dy vende vazhdojnë të shkëmbejnë pikët me njëri-tjetrin, pa e vrarë mendjen fare për opinionin. Preferenca e dytë për të dy këto shtete mbetet Rusia.
Por cilat janë blloqet më “masive” të votave? Edhe pse shifrat mund të ndryshojnë nga sezoni në sezon, gjithsesi është bërë mëse e qartë se 3 janë blloqet mbizotëruese:
1 – Ballkani, me vendet e ish-Jugosllavisë, shto këtu Rumaninë dhe Shqipërinë (sipas The Telegraph).
2 – Ish-Bashkimi Sovjetik, me Poloninë, Rusinë dhe Ukrainën, që shpesh luajnë rolet e “Mbretit” dhe “Mbretëreshës” në gurët e shahut.
3 – Skandinavia, ku përfshihen kombet nordike (Norvegji, Suedi, Finlandë), e ku futen edhe Islanda, Lituania, Danimarka dhe Letonia.
Shumica e votave mes këtyre blloqeve tenton të jetë e bazuar nga afërsia mes vendeve, por jo gjithmonë. Një tjetër rast “përjashtimor” është edhe fakti që Britania dhe Irlanda shpesh ndajnë pikët kryesore me Maltën, duke përbërë atë që mund të konsiderohet si “bllok i pazakontë”.
E megjithatë, blloqet nuk janë të ngurta dhe shpesh votat ndahen edhe brenda tyre.
Por, a ka pasoja negative votimi në bllok? Edhe pse duket qartë se vendet votojnë më së shumti pozitivisht për fqinjët e tyre, kjo nuk do të thotë se shtete të tjera europiane, si ato të Perëndimit, po diskriminohen. Megjithatë ka edhe prova të bazuara në “anektoda”, si shembulli midis Armenisë dhe Azerbajxhanit vitin e kaluar. Armenia, që doli e 4-ta, u rendit e fundit në listën e Azerbajxhanit; dhe armenët ia kthyen “nderin” azerëve, edhe pse këta të fundit përfunduan në vendin e 22 nga 26 konkurrentë. Mendohet se ky votim ka ardhur si pasojë e “ndienjave të thyera” pas luftës Nagorno-Karabak, që përfundoi në vitin 1994.
E megjithatë politika mbetet decizive. Mjafton të shohësh pikët e Bosnje-Hercegovinës. Në 1994, boshnjakët ishin përfshirë në luftëra etnike mes serbëve, kroatëve dhe grupeve të muslimanëve. Sot, këto përçarje ende ekzistojnë dhe duken në votim. Turqia dhe Kroacia janë vendet më të preferuara, ndërsa Serbia mbetet e 4-ta. Ndërkaq, preferencat masive për Turqinë, nga pikët e dhëna prej Gjermanisë, tregojnë ndikimin e popullsisë turke në atë që konsiderohet si superfuqia e Europës.
Megjithatë, mos harroni diçka: Duke qenë se Ukraina nuk merr pjesë sivjet, ndërsa Bjellorusia e Moldavia nuk mundën të kualifikoheshin për në finale, rusja Polina Gagarina mund të sigurojë vlerësimet maksimale prej vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik. Gjë që nuk mund ta sigurojnë vendet skandinave, pasi në shumicën e rasteve ato kualifikohen të gjitha për në finale.
Në fund është edhe Australia. Një surprizë e këtij viti, por cilët vende mund t’ia japin votën australianëve, që janë në fundin tjetër të botës? Gjithsesi, mundësitë e tij janë ende të larta për të qenë ndër këngët më të popullarizuara në Europë.
Vendet më besnike të “Eurovision”-it (përqindja e pikëve totale të dhëna historikisht)
Çekia ndaj Armenisë: 19,54%
Moldavia ndaj Rumanisë: 19,48%
Bjellorusia ndaj Rusisë: 18,34%
Qipro ndaj Greqisë: 18,33%
Armenia ndaj Rusisë: 17,89%
Andorra ndaj Spanjës: 17,24%
Shqipëria ndaj Greqisë: 17,09% (109 nga 638 pikë të dhëna në total)
Azerbajxhani ndaj Ukrainës: 16,5%
Bullgaria ndaj Greqisë: 15,517%
Danimarka ndaj Suedisë: 15,517%
Miqtë më të mëdhenj të Turqisë?
Gjermania me 12,67%
Azerbajxhani me 11,82%
Franca me 11,33%
Shqipëria me 11,13%
Holanda me 10,8%
Ish-Republika jugosllave e Maqedonisë me 9,73%
Bosnje-Hercegovina me 9,43%
Belgjika me 9,29%
Bullgaria me 8,81%
Zvicra me 7,61%
Fituesit e 10 viteve të fundit
2014: Austria me 290 pikë
2013: Danimarka, 281 pikë
2012: Suedia, 372 pikë
2011: Azerbajxhani, 221 pikë
2010: Gjermania, 246 pikë
2009: Norvegjia, 387 pikë
2008: Rusia, 272 pikë
2007: Serbia, 268 pikë
2006: Finlanda, 268 pikë
2005: Greqia, 292 pikë
Top Channel