Formulari për t’u bërë kamikaz

22/05/2015 00:00

Dëshiron të kryesh një sulm kamikaz? Kë duhet të kontaktojmë në rast se kthehesh në një martir? Jep adresë e numër telefoni.

Në morinë e dokumenteve që iu gjetën Osama bin Ladenit, mes të cilave edhe rreshtat e dedikuara me shumë dashuri së shoqes apo thirrjet që dëshmojnë maninë për të goditur amerikanët, të cilat u bënë publike dy ditë më parë nga Uashingtoni, ishte dhe një formular i rekrutimeve të reja.

Aplikimi, i përkthyer nga CIA, përmban pyetje rreth historikut të karrierës së aspirantëve për xhihadistë, njohuritë e gjuhëve të huaja dhe numra kontakti për raste emergjence. Ai çelet me këtë kërkesë: Lutemi vendosni informacionin e nevojshëm në mënyrë sa më të qartë e të vërtetë. Shkrimi të jetë i pastër e i lexueshëm: emri, mosha, statusi civil.

Pastaj pyetja “bombë”: A dëshiron të ndërmarrësh një mision vetëvrasës? Dhe më poshtë: Çfarë objektivash dëshiron të përmbushësh në rrugën tënde të xhihadit?

Më tej, kërkon emra familjarësh e të njohurish, ndërsa aplikuesit i duhet gjithashtu të përgjigjet nëse vuan nga ndonjë sëmundje kronike apo të trashëgueshme. Rekrutëve potencialë u lejohet ta plotësojnë formularin edhe në gjuhë tjetër nëse nuk flasin arabisht.

Militantët duan gjithashtu të dinë mbi punëdhënësit në të shkuarën, të dhënat penale dhe çdo lloj afrimi me organizata të tjera që janë jashtë rrjetit terrorist të Al Kaedës. Ata shfaqin gjithashtu interes për personat që udhëtojnë drejt vendeve perëndimore apo që kanë të afërm të punësuar në qeveri të cilët mund të ofrojnë ndihmesën e tyre.

Dokumenti ishte në mesin e materialeve sekrete të zbuluara nga komandot amerikane në 2 maj 2011, pas mësymjes së kompleksit ku fshihej Bin Ladeni në Pakistan. Me dhjetëra letra të shkruara nga sheiku i terrorit për familjen e tij dhe drejtues të lartë të Al Kaedës, u bënë gjithashtu publike të mërkurën.

Top Channel