Dy nevoja të Greqisë në një kohë tjetër shqiptare

20/05/2015 00:00

Aleksandër Çipa – Greqia mbetet në nevojën për ta pasur një partner të bindur e të kapur shtetin shqiptar.

Kjo është një histori e plotë e shtrirë në kohë qysh në zanafillë të shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë. Në kohë të ndryshme, kjo nevojë nuk ka përkuar gjithmonë njëjtë me realitetin socio-politik. Gjatë diktaturës komuniste nuk ngjau kjo për shkak të izolimit që zgjodhi vetë regjimi i Enver Hoxhës. Periudha e mëpastajme, (kjo që gabimisht vijon të mbajë emrin “tranzicion”), solli në fuqi dhe realitet sërish kapjen dhe mbajtjen nën bindje për shkak të nevojave që Shqipëria shtetërore ka pasur, si për rimëkëmbjen ekonomike, si për mospengimin e fluksit të madh të emigracionit shqiptar në vendin fqinj, ashtu edhe për shumë arsye politike dhe për nevoja të integrimit euroatlantik të saj.

Koha pas vitit 2009 është një kohë tjetër. Jo për arsye të shqiptarëve, por për shkaqe të shtetit grek. Kriza tronditëse shekullore që solli falimentin e shtetit grek, marrëdhëniet aq kruciale të tij me BE-në dhe aleatët e mëdhenj të Perëndimit dhe disa rrjedha të tjera gjeopolitike, kanë sjellë ndryshime të rrethanave edhe në raportet bilaterale, ashtu edhe në ato rajonale. Marrëdhëniet shqiptaro-greke qysh prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, (i cili rrëzoi marrëveshjen dypalëshe për kufirin detar mes dy vendeve), hynë në një kapitull ftohjeje dhe bllokimi. Relacionet diplomatike mes dy vendeve kanë qenë me episode herë refuzimi, herë vizita të shtyra dhe në më tepër se tri raste, ka pasur edhe shkëmbime të notave verbale dhe protesta në nivelet mes ambasadave dhe Ministrive të Punëve të Jashtme të të dy vendeve.

Ditët e fundit, të përditshmet më serioze të Athinës, së pari “To Vima” dhe më pas edhe “Kathimerini”, kanë botuar artikuj në të cilët konfirmohet dhe zbulohet përmes të dhënave konkrete kjo krizë e pashpallur bujshëm në marrëdhëniet zyrtare mes dy vendeve. Madje, gjatë kësaj jave, në gazetat në fjalë është aluduar dhe hamendësuar edhe për një konspiracion ndërshtetëror mes Turqisë dhe Shqipërisë për gjoja pretendime territoriale të vendit tonë ndaj fqinjës jugore.

Në fakt, diçka e tillë është thjesht një pohim me dy synime. Së pari, për të krijuar një opinion në hapësirën ndërkombëtare ndaj një profili nacionalist të kryeministrit apo qeverisë së Edi Ramës. Pak kohë më parë ishte gazeta “Kathimerini”, që në një artikull të mirëvlerësuar edhe në pikëpamjen redaksionale, e akuzonte Kryeministrin aktual të Shqipërisë për një prirje nacionaliste në marrëdhëniet ndëretnike dhe sidomos edhe në relacionet me Greqinë. Këtë këndvështrim dy gazetat e rëndësishme që botohen në Athinë, madje “Kathimerini” në versionin anglisht qarkullon edhe në disa vende të Perëndimit dhe BE-së, e kanë evidentuar përsëritshëm. Kjo linjë vijon të konfirmohet sidomos gjatë këtij viti, kur platforma e paramenduar dhe e projektuar për shpimin për naftë e gaz në detin Jon, pengohet plotësisht nga bllokimi i marrëveshjes detare mes dy vendeve.

Greqia e 2015 ka dy nevoja madhore. Së pari, të dalë nga humnera financiare dhe ajo e falimentit shtetëror, duke shpresuar të ngrihet nga fundi i saj, ku po e sodisin me nervozizëm dhe presion të pashoq vendet borxhdhënëse të BE-së me në krye Gjermaninë. Për ta arritur këtë, fati sipas mendimit të qarqeve financiare greke, e ka ndihmuar me zbulimin e pasurive që gjenden nën fundin e detit Jon, në zonën ujore mes pjesës veriore të ishullit të Korfuzit dhe në hapësirën e trekëndëshit që kufizohet me dy shtetet e tjera, Shqipërinë dhe Italinë. Kjo hapësirë është brenda territorit të Shqipërisë dhe si e tillë as që bëhet fjalë se mund të tolerohet apo falet prej dikujt. Ky zbulim i konfirmuar tashmë zyrtarisht dhe i shtyrë gjer në aktin zbatues, befas është bllokuar nga “gozhda” e marrëveshjes së rrëzuar greko-shqiptare, firmosur nga ish-ministrat e jashtëm të dy vendeve, Basha-Bakojanis. Mirëpo nevoja madhore për investim dhe të ardhurën e parashikuar nga shfrytëzimi sa më parë i këtij burimi nëndetar, sipas mendësisë së qeverisësve aktualë të Athinës të kryesuar nga Kryeministri majtist Cipras, duhet të bashkëjetojë me bindshmërinë e përhershme të shtetit dhe sidomos qeverisë së Shqipërisë.

Mirëpo kjo nevojë e dytë, nuk përkon më, si lehtësi e së shkuarës dhe e së përhershmes (!). Shqipëria e 2015 nuk është ajo e vitit 1992 dhe natyrisht as ajo e vitit 2008. Qeveritë e këtij shteti nuk e kanë më të lehtë të tejkalojnë e aq më tepër të shpërfillin Gjykatën Kushtetuese. Kjo, jo për arsye se ka triumfuar konstitucionalizmi mbi politikëbërësit, por se arsyeja lidhet me integritetin dhe hapësirën fizike territoriale të Atdheut. Për këtë arsye, Greqia e ka të humbur “davanë”, edhe pse mund të mbajë shpresën, se Marrëveshja e rrëzuar detare, mund të respektohet nga Kryeministri i tanishëm Edi Rama apo pasardhësi i tij, kushdo qoftë ai. Kjo shpresë ka lidhje me të pamundurën dhe të pangjashmen. Nuk është meritë e këtyre që janë, por është meritë e ndjeshmërisë dhe reagimit të fuqishëm shqiptar në atë moment denoncimi dhe që tashmë ka gjithë syçeltësinë qytetare në fuqi.

Greqia duhet t’i largohet sa më parë idesë se do ta arrijë këtë nevojë, përmes strategjisë së vjetër të kapjes apo diktimit të qeverive të Shqipërisë për kufirin detar. Gazetat greke të përmendura më sipër, e kanë ngritur shqetësimin më tej: Ato nënkuptojnë se problematika e marrëveshjes kufitare po përfshin edhe kufirin tokësor. Diçka e tillë me kohë është nënkuptuar nga individë dhe komentues, të cilët inspirohen apo qoftë edhe ushqehen me informacion konspiracionesh që lëvrijnë si gjithmonë mes Greqisë dhe Shqipërisë. Mirëpo kësi hamendësimesh janë thjesht një brendi populizmi ballkanik. Mes dy shteteve ka mbërritur koha e një domosdoshmërie pariteti dhe reciprociteti që nuk mund të eklipsohet apo tjetërsohet prej ndjenjash dhe sjelljesh të tjera. Të dy vendet kanë nevojë të mos ikin nga realizmi dhe sinqeriteti shtetëror. Greqia nuk mund të imponohet më ndaj një vendi që ka kontributin e shumëprovuar të stabilitetit dhe të ndikimit pozitiv në realitetin ballkanik të këtij 20-vjetëshi të fundit. Natyrshëm, Greqia mbi gjithçka duhet të njohë dhe respektojë edhe dialektikën e zhvillimeve, të rritjes, fuqizimit dhe ndryshimit që ka ngjarë në relacionet e Republikës së Shqipërisë me republikat fqinje dhe sidomos me krejt faktorët shqiptarë në rajon. Lidhjet e patrazuara të ekonomisë dhe biznesit grek me biznesin dhe ekonominë shqiptare, edhe në ditë të tilla, kur kriza ekonomike e financiare greke nuk njeh shembull të ngjashëm në rajon, janë ndoshta pika e referimit ku mund të bazohet këndvështrimi i domosdoshëm i ri për fqinjët. Qeverisësit e sotëm në Athinë kanë të gjitha arsyet të mos trashëgojnë mendësinë tradicionale të diplomacisë greke përgjatë periudhës me emrin e gjertanishëm “tranzicioni shqiptar”. Ky realizëm dhe sidomos ikja nga kthetrat e xhelozisë apo inateve ballkanike, për shkak të partneriteteve pragmatike të shtetit shqiptar në rajon dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, vlejnë më së shumti për të ndihmuar vetë Athinën. Ftohtësia dhe largpamësia për të lexuar drejt këtë vetëveprim dhe sovranitet të diplomacisë shqiptare, japin dritë të re për rikthim në kohë të mbarë partneriteti dhe mirëfqinjësie dhe kurrsesi nuk inkurajon kryeneçësinë e padëshmuar të shtetit shqiptar.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA