Maqedonia, një javë më pas

19/05/2015 00:00

Monika Shoshori Stafa – Ashtu si fqinjët e saj në Ballkan, edhe për Maqedoninë nuk ishte aspak e huaj ajo çfarë pamë të ndodhte trishtueshëm javët e kaluara nëpër rrugët e qyteteve të saj.

Ka disa muaj, që qeveria konservatore e Nikolla Gruevskit është ballafaquar trazueshëm me valët e protestave. Por tensionet e fundit nuk ishin parashikuar të dilnin kaq papritur jashtë kontrollit, nga ku të rinjtë e filluan me hedhjen e vezëve drejt fasadës së tipit neoklasik të selisë së qeverisë maqedonase, një shembull krenarie i të ashtuquajturit projekt “Shkupi 2014” që synonte ta popullonte kryeqytetin me kujtesa të lavdisë së përjetshme të Aleksandrit të Madh. Ajo që ndodhi mblodhi menjëherë forcat speciale të policisë në vendngjarje. Por goditjet, vetëm e forcuan më shumë vendosmërinë e aktivistëve studentë, të cilët premtuan të rikthehen sërish, siç dhe bënë një mbrëmje më pas. Duke kërkuar mes “zjarrit” shpërthyes të emocioneve “dorëheqjen” e qeverisë, protestuesit nuk ishin të qartë se çfarë do të bënin më tej. Mes ankthit të “së pamundurës” dhe “së mundurës” ata nuk ishin më në gjendje të vendosnin për të hequr dorë a ajo. Zemërimi popullor u ngacmua që në çastet kur në publik u lëshuan audio-regjistrimet nga Zoran Zaev, lideri i socialdemokratëve në opozitë, që implikonte Gruevskin dhe shoqëruesit e tij më të afërt në përgjimin që u ndoq nga gazetarët mbi manipulimin e zgjedhjeve dhe dërgimin e policisë për të sulmuar kundërshtarët. Autoritetet zyrtare dhe aleatët e tyre nëpër media, edhe sot janë duke luftuar fort në fajësimin ndaj të gjitha makinacioneve të shërbimeve të huaja të sigurisë. Së fundi, është përfolur edhe financieri miliarder Xhorxh Soros, shprehen burimet, në kësi rastesh, një kokë turku e preferuar. Zaev po përballet me procedurën penale, por nëse qëllimi ishte për të zhdukur pakënaqësitë duket se ajo qartësisht nuk ka funksionuar. Sepse zemërimi shpërtheu në energji të reja pas “bombës” së fundit, si audio-regjistrimet u quajtën, ndërsa Kryeministri diskutonte me zyrtarët më të lartë në Ministrinë e Brendshme pretendimin për të mbuluar vrasjen e 21-vjeçarit, Martin Neshkovski, i cili u vra nga një pjesëtar i policisë maqedonase në qershor të vitit 2011. Përshkallëzimet dramatike fatkeqësisht nuk duhet të befasonin askënd në Maqedoni, por edhe këtu në Tiranë. Zhvillimet politike në Maqedoni kishin kohë që i ngjanin një situate nën presion. Vendi i vogël me rreth 2 milionë banorë i mbyllur brenda një rrethi vicioz, vuan pasojat e një vetoje greke në pranimin e saj brenda Bashkimit Europian, pasojë kjo që çimentoi ardhjen në fuqi të mbrojtësve “të vetëquajtur” të krenarisë kombëtare. Europeistët ndahen në gjykimin se çfarë raporti ka BE-ja ndaj Maqedonisë nisur nga ngjarjet në Kumanovë. Disa mendojnë se ajo po fle, të tjerë që ajo në urtësi përkundrazi po i ndjek këto zhvillime apo se ajo po sillet me Ballkanin perëndimor si u soll me zhvillimet në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, ndërsa një palë tjetër mendon se ajo sigurisht është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit të këtyre vendeve në shtëpinë e saj. Por realiteti është i kundërt. Bota jashtë atyre mureve tregoi se u kujdes shumë pak dhe vetëm atëherë kur spektri i konfliktit ndëretnik arriti sërish ta çojë kokën lart, si dhe ndodhi dekada më parë. Por, Gruevski luajti bukur dhe me profesionalizëm, ndryshe nga partitë rivale shqiptare, duke ushtruar kontrollin e tij në publik, për t’u siguruar se autoritetet u sollën mirë. Ajo që ndodhi në të vërtetë ishte se qytetarët ishin pengje në këtë skenar të dëshpëruar. Edhe pse qeveria e VMRO-DPMNE (në pushtet që nga viti 2006), mund të shihet si fajtori kryesor, opozita vazhdon ta ndajë fajin. Zaev shpejt mund të fitojë sërish kreditë e humbura sapo të kryejë një shërbim të transparencës dhe llogaridhënies mbi pengun e regjistrimit. Por e sigurt është se ai dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të kenë kredibilitet. Ajo që mbetet të thonë qytetarët, është se nuk ishte Gruevski, ai që shpiku modelin e shkrirjes së korrupsionit deri në qeverisjen e nivelit më të lartë, klientelizmin dhe keqpërdorimin e aparatit represiv të shtetit. Ai thjesht duket se e ka përsosur më tej atë që socialdemokratët kishin çuar para, kur ishin në krye të vendit gjatë viteve 1990. Për fat të mirë, Bashkimi Europian, me gjithë hallet e mëdha të Mesdheut dhe keqkuptimeve që ka mes anëtaresh mbi vizitorët e padëshiruar, është zgjuar ndaj faktit se Maqedonia po ndodhet në rrezik. Mjerisht, ajo është po aq shumë pjesë e kësaj vatre të nxehtë në rajon. Nisur nga qëllime të mira, ne ndoqëm që Brukseli priti në bisedime përfaqësues të dy prej partive kryesore në vend me eurodeputetët Ivo Vajgl, Riçard Hoëit dhe Eduard Kukan, duke vepruar si ndërmjetësues me urdhër të komisionerit europian për Zgjerimin, Johannes Hahn. “Të vegjlit” këndej poshtë (Kryeministri i Shqipërisë dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Maqedoni) i kryen ato pas disa ditësh ngjarjesh në Kumanovë, fundjavën që lamë pas, buzë Ohrit, por asgjë s’u njoftua se çfarë u tha mes sharmit të imazheve që u përcollën. Por e sigurt është se pas këtyre zhvillimeve, njëri në kufi me fqinjin më të afërt dhe tjetri te bujtësi i ftohtë e i sertë, shënjestrimi i krizës drejt një dueli mes VMRO-DPMNE dhe socialdemokratëve konfirmon një qeveri problematike në shtratin e saj të establishmentit politik dhe margjinalizon njëherësh një shoqëri civile kokëfortë. A duket se mos po jemi ballë një ere të re? A mos po jemi dëshmitarë të një pranvere në Ballkan? Të një “Maidan” të ri maqedonas? Nisur nga ky aktualitet i rëndë, shumë mendje kanë hedhur idenë e një qeverie tranzitore deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta të shqyrtuara me kujdes nga Bashkimi Europian. Por, gjithsesi, mbetet frika e skenarit turk për Gruevskin, që edhe pas goditjes së protestave të 2013-s, Tajip Erdogan erdhi sërish në pushtet, duke parashikuar çdo gjë me kujdes edhe nëpërmjet sondazheve. Një zhvillim i tillë pa dyshim do ta thellonte izolimin e Maqedonisë, edhe pse qeveria me siguri do të vazhdonte të bënte sikur i mbante premtimet boshe për anëtarësim në BE. Ndaj detyrat e Europës, tani duhet të jenë më të qarta. Shtetet me ndikim anëtare të BE-së duhet të ndërhyjnë fort, publikisht ose në prapaskenë për të nxjerrë nga linjat e kuqe, Gruevskin dhe për të negociuar mbi një plan për të dalë nga kriza. I ashtuquajturi “Berlin Process”, që ka në fokus urën e bashkëpunimit mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, është platforma e drejtë dhe e duhur, ajo që dhe pritet të përforcohet më konkretisht gjatë bisedimeve të 27 gushtit të këtij viti në Vjenë. Në deklaratën e Komisionit Europian, lëshuar më 21 prill 2015 nga Brukseli, pas takimit atje, të gjashtë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, ata u zotuan të riafirmonin angazhimin e marrëdhënieve mes palëve, fqinjësinë e mirë, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian, duke shprehur angazhimin e fortë të projektit “Berlin Process” dhe duke siguruar se Samiti i Vjenës do të arrijë rezultate konkrete mbi bazën e projekteve të veçanta të investimeve. Por sigurisht ky projekt i Merkel mbetet një projekt afatshkurtër. Sepse, në fund fare mbeten dy kushte thelbësore për përparimin afatgjatë të tij: së pari, shoqëria civile e vendit duhet të përdorë me forcë zërin e saj për të mbajtur autoritetet e qeverisë nën kontroll, cilido të jetë në pushtet dhe së dyti, Maqedonia e vendosur njëherë në krye të Ballkanit Perëndimor, për pranimin në BE, duhet të rifillojë sërish bisedimet sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është e vetmja mënyrë që ajo mund t’u rrijë larg realiteteve të hidhura të politikës së ditës dhe të shohë më mirë dritaren drejt Perëndimit, aty ku po qëndron në një stand-by prej një dekade të shkuar. Por natyrisht çfarë europeistët këshillojnë është dhe një sy i shpejtë i Europës tej fqinjëve të saj si Shqipëria dhe Kosova, të cilat padyshim këtë vit duhet të jenë në agjendë më konkretisht lidhur me nismat që atyre u takojnë me të drejtë: e para, Shqipëria që meriton të marrë një datë për bisedimet e pranimit; e dyta, Kosova, e cila nuk duhet të shihet më si problem mes saj dhe Serbisë dhe t’i hapet kështu rrugë procesit të liberalizimit të vizave. Të shtënat në Maqedoni gjatë 9 dhe 10 majit u folën shumë se ishin një simbolikë e një përzierje të rrezikshme të rrjeteve kriminale dhe tensioneve ndëretnike në një ambient ku politika funksion tepër dobët në arealin e përbashkët të rajonit. Por një gjë është e sigurt tanimë, ndërsa liderët e Shqipërisë dhe Kosovës, ashtu me zë të ulët i dënuan ngjarjet e Kumanovës dhe drekuan së bashku buzë Ohrit, Maqedonisë, vazhdon t’i rrijë mbi krye si hije, dashuria e “vëllait” të madh, Rusisë.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA