Veliaj takon votuesit 18-vjeçarë: Programe të posaçme për rininë

18/05/2015 00:00

Kandidati i majtë, Erion Veliaj, ka zhvilluar pasditen e kësaj të hëne takimin elektoral të radhës, këtë herë me votuesit 18-vjeçarë.

Gjatë takimit, Veliaj ka ftuar të rinjtë që më 21 Qershor të zgjedhin Aleancën për Shqipërinë Europiane, për atë që tashmë nga ky koalicion njihet si “drejtimi i duhur”.

“Të rinj, të majtë e të djathtë, të zgjedhin më 21 Qershor modelin dhe drejtimin e duhur. Duam një kryetar bashkie që shkon jashtë shtetit dhe tek partia, apo një kryetar që qëndron në këto lagje?!”, është shpreh Veliaj në takim.

Më pas, ai prezantoi një seri pikash ku do të bazohet programi i administratës së ardhshme të Bashkisë së Tiranës për rininë.

“Do të themelojmë Këshillin e Rinisë për Tiranën. Do të hartojmë buxhetin për rininë, për të cilin deri më sot nuk ka menduar askush. Do të mundësojmë kartën e të rinjve, përfshirë këtu gjimnazistët dhe jo vetëm studentët, sepse të gjithë duan të përfitojnë nga shërbimet. Do të rikthejmë qendrat komunitare, do të ndërmarrim një iniciativë për sipërmarrësit e rinj që duan të krijojnë një biznes të vetin dhe duan ndihmë nga bashkia. Ju premtoj se vitin e parë do të kemi 100 biznese rinore. Siguria në shkollë është një tjetër pikë, sepse prindërit duhet t’i kenë fëmijët të sigurt në shkollat ku i çojnë. Gjithashtu, ne do të rikthejmë në qendra rinore ato hapësira që janë bërë kafene dhe do të rikthejmë kampionatet mes shkollave”, ka premtuar mes të tjerash Veliaj.

Top Channel