“Kolltuku hipnotik është bërë një vend i pëlqyer për mua. Ulem dhe trupi fillon të shkarkojë çdo tension. E tërheq trupin prapa dhe gjithçka fillon nga kjo pikë. Dëgjoj një zë të sigurt, që më udhëheq në çdo çast të këtij udhëtimi mbresëlënës”.
“Sytë e mi, të përqendruar diku fillojnë e turbullohen në shikim dhe vetëm pas pak minutash qepallat mbyllen pa hezitim. Trupi im çtendoset gjithnjë e më shumë, deri në një pikë sa unë humbas kontrollin e vetëdijshëm mbi të. Zëri, që më shoqëron gjithmonë, më thotë të futem gjithnjë dhe më thellë në gjendjen shlodhëse, bashkë me numërimin mbrapsht nga 1-10. Kjo “zbritje” bëhet me një “shkallë lëvizëse” dhe unë shkoj bashkë me numërimin”.
“Në çast, zëri më udhëzon drejt një vendi përrallor, të ngjashëm me konceptin tim për parajsën: një kopësht i madh me bimë, kryesisht lule, por ku nuk mungojnë as pemët e larta, si lisat dhe palmat. Kopshti është i ndriçuar nga një dritë e vaktë e bardhë, duke krijuar një ndjesi misteri. Ajri ndihet që është i freskët dhe i mbushur me aroma lulesh, ndoshta trëndafilash. Dëgjoj cicërima zogjsh tepër melodiozë dhe harmoni, që më japin një ndjesi edhe më të thellë relaksi. Eci i qetë në një rrugicë të këtij kopshti, ku fijet e holla të barit të njomë, nga të dyja anët janë disi të përkulura mbi të”.
“Tani, zëri më thotë se aty në kopësht është një ndërtesë madhështore, ndoshta një tempull dhe vërtet në rrugën time gjej një tempull shumë të madh, në formën e një piramide të shkallëzuar, si ato që ndërtonin inaksit dhe astekët për adhurimin e perëndive. Shoh, që në majë të piramidës ndodhet një vajzë jo njerëzore shumë e bukur, me flokë të argjendta, sy blu shumë të errët, ndoshta nga nuancat më të errëta të kësaj ngjyre, fytyrë e rrumbullakët, e plotë dhe e ndritshme, buzëqeshje tejet rrëzëllitëse. Kishte edhe dy krahë të bardhë në shpinën e saj, njësoj si një ëngjëll, veçse aureolën nuk e kishte vetëm mbi kokë, por si vello të shpërndarë në të gjithë trupin”.
“Ajo më pret me ngrohtësi për në majë të piramidës, duke më zgjatur dorën për të më ndihmuar të ngjitem. Pastaj, kjo qenie më shoqëron për në brendësi të këtij tempulli. Aty shikoj që ka dhe qenie të tjera, si ajo që më shoqëron. Edhe ato më pritën sikur të më njihnin prej kohësh”.
“Pastaj zëri më pëshpëriti se, aty brenda unë do të takoja njerëzit që i kam përzemër dhe fill pas kësaj unë vura re, sesi u shfaqën përpara meje dy gjyshërit dhe tezja, që nuk janë më në këtë jetë. Ata dukeshin kaq të lumtur që më takuan, saqë këtë gjë e kuptova nga buzëqeshja e përqafimi i tyre, jo nga fjalët. Qëndruam ashtu për pak momente dhe kuptova sesa shumë më kishin munguar gjithë kësaj kohe”.
“Pas kësaj, zëri përsëri shfaqet e më thotë të dal tanimë nga tempulli… e unë i bindem. Duke kundruar përsëri bukuritë natyrore të pashoqe të kopshtit, zëri butësisht më thotë se këto janë çastet e fundit, që unë qëndroj aty, pasi do të më duhet të kthehem përsëri sipër, në botën e vërtetë. Tani shkallët lëvizëse më presin që unë të ngjitem sipër, por zemra nuk ma bën që ta lë atë vend, ku rigjeta qetësinë”.
“Ndërkohë, numërimi përsëri ka filluar dhe unë hezitoj të largohem. Në momentin e fundit rend rrëmbimthi për në shkallët e botës së sipërme dhe lë prapa krahëve oazin më relaksues, që kam parë. Numërimi mbaron dhe hap sytë i shlodhur. Kthej kokën dhe… zëri udhëheqës është aty, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë”.
Top Channel