Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan në mënyrë informale gjatë mbrëmjes mbi situatën e përkeqësuar në Maqedoni, pas zhvillimeve tragjike në Kumanovë dhe protestës së të dielës.
Mësohet se ata u informuan shkurtimisht nga Përfaqësuesja e Lartë, Mogherini, dhe Komisioneri Hahn, por nuk pati konkluzione, për të cilat, ministrat europianë vendosin në qershor, përpara samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.
Ministrja kroate Pusiç deklaroi ashpër për mediat vendase se “BE-ja është shumë e shqetësuar për situatën në Maqedoni dhe se aktualisht mendohet të jetë pika më e ndjeshme në rajon, mes vendeve jo anëtare të Bashkimit Europian, por që në fakt janë në mesin e shteteve anëtare”.
“Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme të bëhet dallimi politik, për të mos shtyrë në drejtim të përleshjeve etnike sepse kur Ballkani nis me dallimet politike, përfundon në përleshje etnike, çfarë është gjithmonë e paparashikueshme, destabilizuese dhe potencialisht me pasoja shumë të rrezikshme”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, deklaroi: “Shqipëria është një vend fqinj mjaft i interesuar për stabilitetin demokratik dhe për moscënueshmërinë e integritetit territorial të Maqedonisë. Kemi shprehur nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, për mirëkuptim dhe harmoni ndëretnike në Maqedoni dhe për një integrim të plotë të shqiptarëve, jo thjesht në strukturat vendimmarrëse në Maqedoni, por edhe përsa i përket rishikimit të politikave ekonomike, zvogëlimit të hendeqeve ekzistuese në financimin dhe përqendrimin e pasurisë publike ndërmjet etnive kryesore në Maqedoni”.
Ndërsa burime pranë Komisionit rrëfejnë se “kryeministrit Gruevski i është kërkuar dorëheqja, por Shkupi nuk e merr në konsideratë”, ministri i Jashtëm sllovak, Lajçak, tha se “deri tani nuk ka një kërkesë të drejtpërdrejtë publike për dorëheqjen e kryeministrit Gruevski, çfarë duhej të ishte rasti”. Vendi ka thyer normat europiane dhe kjo situatë ishte sinjalizuar nga bojkoti i opozitës e publikimi i përgjimeve, sipas tij. “Tashmë është koha për BE-në të ndërhyjë në Maqedoni, të jetë e dukshme atje e të tregojë lidership”, u shpreh Miroslav Lajçak për mediat sllovake.
Ndërkohë që gjatë takimit informal të “miqve të Serbisë”, ministri i jashtëm austriak, Sebastian Kurz, mësohet të ketë deklaruar se “ngjarjet e fundit në Kumanovë mund të dëmtojnë më tej procesin e integrimit europian” dhe se “në rastin e Maqedonisë, dukshëm shohim se mungesa e perspektivës së qartë europiane, nuk ndihmon, përkundrazi”.
Ndërkohë, që në nisje të takimit të përbashkët me Këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, deklaroi se “Aleanca po e ndjek nga afër situatën, përmes zyrës në Shkup”. Protestat paqësore janë mjet i duhur i demokracisë, sipas tij, dhe “sundimi i ligjit duhet të respektohet e duhet evituar përshkallëzimi i krizës në Maqedoni”.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel