Maqedoni, ende pa marrëveshje. Zaev: Kusht, dorëheqja e Gruevskit dhe qeveria kalimtare

18/05/2015 00:00

Udhëheqësit e 4 partive kryesore në Maqedoni, as në takimin e tyre të dytë nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për daljen nga kriza politike.

Për të filluar negociatat për zgjidhjen e krizës, opozita maqedonase paraprakisht kërkoi të dorëhiqet kryeministri Nikolla Gruevski dhe të formohet një qeveri kalimtare.

“Në tavolinë, sot BDI shtroi propozimin e saj për të diskutuar për disa tema. Por, nuk hapëm dialog për temat, sepse fillimisht duhet të zgjidhen disa çështje të tjera. Për të shënuar përparim në bisedime, paraprakisht duhet të konfirmohen parimet e bisedimeve, të sigurohet barabarësi mes palëve dhe të ofrohet garanci se marrëveshja e arritur do të zbatohet. Në takimin e sotëm, siç e shihni, nuk ka pasur përparim drejt zgjiedhjes së krizës”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Kryeministri Nikolla Gruevski nuk u pronocua për mediat pas takimit.

Mësohet se në takimin e kësaj të hëne, BDI-ja e Ali Ahmetit ka propozuar riformatimin e qeverisë dhe formimin e grupeve punuese, që do të diskutojnë për zgjidhjen e krizës. Por, ky propozim është hedhur poshtë nga Zaevi, i cili ka theksuar se, asnjë qeveri e drejtuar nga Gruevski nuk është legjitime.

Ndërkohë, zëdhënësi i Partisë Demokratike Shqiptare, Luan Tresi tha se takimi i radhës është caktuar të mbahet më 26 maj, kur – sipas tij – pritet që edhe PDSH-ja të hedhë propozimet e veta në tavolinën e bisedimeve.

“Në këtë takim kishte një propozim konkret rreth pikave të mundshme, që do të diskutoheshin. Pjesë e atyre pikave, për PDSH-në janë të pranueshme. Por gjithsesi, në takimin e radhës që u caktua për të martën, më 26 Maj, do të hedhim në tavolinë edhe pikat tona, për ta cilat mendojmë se duhet të bisedohet”, tha zëdhënësi i PDSH-së.

Pas këtij takimi, të martën pasdite kryeministri Nikolla Gruevski dhe lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, do të takohen në Strasburg për të diskutuar për situtatën në Maqedoni. Zaev pret nga ky takim, që përfaqësuesit e Komisionit Europian të dalin me propozime konkrete për zgjidhjen e krizës politike në Shkup.

Takimi mbërriti një ditë pas nisjes së protestës masive nga ana LSDM-së në rrugët e Shkupit. Protesta, e vlerësuar si më e madhja e organizuar prej vitesh në vend, mblodhi në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Maqedonisë qindra-mijëra qytetarë të të gjitha kombësive.

Protesta janë të nxitura nga skandali i përgjimeve të publikuara nga Zaev, ku ministra, ish-ministra dhe shefi i shërbimeve sekrete kapen ‘mat’ duke folur për kundërshtarët politikë, madje edhe për shqiptarët. Në një rast, ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska i quan shqiptarët “të egër e indianë”, ndërsa në një rast tjetër flet për “pastrimin e shqiptarëve brenda një ore”.

Top Channel