Besnik Gjongecaj – Në hapësirën e ngushtë shpirtërore (superstrukturës) të këtij vendi i gjen të gjitha zanatet, të gjithë zanatçinjtë e botës.
Gjen gazetarinë dhe prandaj edhe gazetarin; gjen pikturën, prandaj edhe piktorin; gjen letërsinë, prandaj edhe shkrimtarin; gjen artin, prandaj edhe artistin; gjen biznesin e përpunimit të opinionit publik, prandaj edhe analistin; gjen biznesin e politikës, prandaj edhe politikanin; gjen fallxhorëkun, prandaj edhe fallxhorin… Të gjitha i gjen; herë të vërtetë dhe herë gjasme. Aq sa jo rrallë nuk e dallon dot, madje as nëpërmjet një perceptimi të edukuar mirë, zanatin e vërtetë nga i sajuari, prandaj edhe zanatçiun e vërtetë nga manipulatori, mashtruesi. Askush nuk mund të thotë, prandaj, se në cilën pjesë të saj politika e këtij vendi nuk është fallxhorëk, por një proces strikt vendimmarrës në interes të vendit, ashtu sikundër jo në pak raste, nuk dallon dot politikanin nga fallxhori që bën fallxhorëk për t’i futur duart në xhepat e tjetrit. Është shumë e vështirë të ndash analizat publike nga trushplarja, gjë që e bën akoma më të vështirë të dallosh se ku mbaron analisti dhe ku fillon manipulatori. Është bërë gati e pamundur të zbulosh kufijtë e pushtetit të medias, sepse shpesh janë të mbivendosur me ato të politikës; prandaj edhe kufirin midis gazetarit të vërtetë dhe njeriut që i shet pushtet mediatik çdo ditë politikës dhe politikanëve. Jo pak historianë zhyten përditë në mëkatin e përdhunimit të së vërtetës historike, ashtu sikundër jo pak shkrimtarë në llumin e asgjësë ku, bashkë me ta, në atë boshllëk të neveritshëm, përfundojnë edhe të vërtetat rrëqethëse të shoqërisë shqiptare. Sepse bashkëjetesa e së vërtetës me mashtrimin nuk ndesh asnjë problem ligjor, etik, në këtë vend. Madje ekziston perceptimi se, pa pikë dyshimi, kjo bashkëjetesë e bën të suksesshme mbijetesën. Ja pse vetë Shqipëria është kthyer në një teatër gjigant ku luhet një dramë pa fillim e pa fund. Një fallxhorëk i paanë. Ku gjen të gjitha zanatet, por, çuditërisht, nuk gjen shkencën. Ku gjen të gjithë zanatçinjtë, por nuk gjen shkencëtarët. Askush nuk flet për ta. Ku janë? A është e mundur të mos ketë shkencë dhe shkencëtarë në këtë vend? Nëse ka, pse nuk duken? Pse nuk dëgjohen? Ku janë fshehur? Ose më mirë, ku i kanë përplasur, në ç’skutë; në ç’varr po përgatiten t’i varrosin? Kush?
* * *
Koracën e fudullëkut dhe të një vetëbesimi të shtirur, shumica e politikanëve të këtij vendi e përdorin për të fshehur sindromin e tyre të vërtetë: kompleksin e inferioritetit. Kompleksi i inferioritetit nuk i lejon politikanët, prandaj edhe shumë të tjerë që shushaten prej gjasme oratorisë së tyre, të shkojnë deri te shkencëtari. Ndalen instinktivisht para se ta arrijnë atë, shkencën dhe shkencëtarin. Sepse prekja me to i zhbën, i bën të paqenë para njerëzve dhe publikut. Sepse automatikisht i vendos në pozita krahasuese, ku të gjithë mund të kuptojnë se ç’parazitë të neveritshëm janë ata, politikanët e këtij vendi. Prandaj ndalen një shkallë më afër; ndalen te studiuesi. Sepse studiues mund të bëhesh. Studion një gjë dhe thua që e studiova. Me kaq e mbyll. Shkencëtari nuk mundet të ndalojë këtu. Sepse të jesh shkencëtar duhet të prodhosh një produkt që i vë emrin tënd: një rezultat eksperimental, zgjidhje të një problemi përmbytjeje, një tekst të ri universitar, një metodë të re kërkimi, një metodë të re mësimdhënieje, një metodë efektive taksimi për kushtet e vendit tënd, një varietet i ri për një bimë, një forme të re e sekuestrimit të gazit karbonik që çon drejt një cilësie më të mirë të ajrit, kuantifikimi i erozionit të një zone, i fluksit të lëvizjes së ndotësve drejt tokës, burimeve të pastra ujore. Nëse të gjitha këto sponsorizohen nga politika, madje bëhen pjesë e politikave të zhvillimit të vendit, pra, nëse të gjitha këto arrijnë të takojnë publikun, të depërtojnë deri te ndërgjegjja e njeriut të thjeshtë, atëherë ky i fundit, spontanisht, do të pyesë veten: po këta që i votojmë dhe gati sa s’i thyejnë ekranet e TV, çfarë kanë bërë?!
* * *
Është jashtë çdo dyshimi se shkenca dhe shkencëtarët janë aty, brenda kufijve të vendit dhe të shoqërisë shqiptare. Është kompleksi i inferioritetit i politikanëve kapaku i gurtë dhe i ftohtë që peshon mbi to, dhe s’i lë të dalin në publik, të njihen, prandaj edhe të marrin mbështetjen e tij. Politika e këtij vendi e ka izoluar aq shumë shkencën dhe shkencëtarët, sa i ka bërë të largët për publikun aq sa edhe jashtëtokësorët. Aq sa edhe fjala shkencëtar nuk përdoret më seriozisht, por vetëm për të tallur apo ironizuar dikë tjetër. Aq sa t’i thuash dikujt se edhe në Shqipëri bëhet shkencë, të shohin nga koka te këmbët si një të lajthitur. Me një dhelpëri që, shumë-shumë, nuk mund të kualifikohet ndryshe veçse si provinciale, katundareske, politika e ka sulmuar shkencën e këtij vendi përbindshëm, për ta diskretituar para publikut, madje për ta fshirë fare atë nga sytë e tij. Shkenca dhe kërkimi i këtij vendi e ka praktikisht nul mbështetjen financiare. E ka praktikisht të pamundur të bëhet pjesë e projekteve të zhvillimit të vendit, madje akoma më shumë, e ka të pamundur të gjejë hapësira për t’u shfaqur në publik dhe për të kërkuar mbështetjen e tij. Lufta e pandershme që politika e këtij vendi i ka shpallur shkencës dhe shkencëtarëve ka shkaktuar plagë edhe më të thella. Mbi të gjitha, është dëmtuar rëndë integriteti i shkencëtarëve dhe vërtetësia e shkencës. Me një dhelpëri të pashoq, politika transferon përditë, aq sa mundet dhe si të mundet, veset e saj te shkencëtarët dhe shkenca. Sot në Shqipëri gjen shkencëtarë që s’kanë asnjë lidhje me shkencën, që s’kanë integritet dhe raportojnë rezultate të falsifikuara, që bëjnë kërkim plagjiaturë, sa për sy e faqe, vetëm për të marrë tituj shkencorë; që bëjnë trafik punimesh te njëri-tjetri dhe për fusha shkencore në të cilat nuk kanë punuar kurrë. Aq sa shkenca dhe kërkimi, nga shtrati i gurtë i sakrificës sublime, është shndërruar në një dyshek ku ngrohen dhe vegjetojnë jo pak pseudoshkencëtarë.
* * *
Mungesa e një shkence të vërtetë dhe efektive ka krijuar gropën ku politika fsheh mjetet e saj antishkencore, korruptive, në drejtimin e vendit. Ja pse politika e menderosur e Shqipërisë i ka shpallur luftë asaj që vendet demokratike e quajnë të shenjtë: shkencës. Ka shumë fakte që mbështesin këtë tezë, aq sa është shumë e vështirë t’i rreshtosh. Ja vetëm tri prej tyre:
Fakti 1
Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2007, i cili edhe sot e kësaj dite është një dokument që rregullon të gjithë kualifikimin akademik në Shqipëri, të bëhesh profesor i plotë të mjaftojnë vetëm pesë vjet mësimdhënie në universitet pas kohës së mbrojtjes së doktoraturës, ndërkohë që doktoratura, sigurisht, konsiderohet pjesë e studimeve universitare. Janë pak apo mjaftueshëm këta pesë vjet? – mund të pyesin njerëzit që nuk punojnë brenda sistemit. Për ta kuptuar nëse është apo jo e mjaftueshme koha e dhënë nga kjo VKM, duhet të njihesh me detyrat që do të duhet të kryhen suksesshëm brenda këtij afati. Le t’i rreshtojmë. Duhet të jesh katër vjet me radhë titullar i një lënde, që automatikisht nënkupton të kesh shkruar tekstin e saj ose revizionuar thellësisht ekzistuesin dhe, sigurisht, ta njohësh atë lëndë në përmasa ajsbergiane, në kuptimin që për studentin do të ishte e mjaftueshme sikur të dinte një pjesë të vogël të njohurive shumë të gjera të vetë mësimdhënësit; të kesh një përvojë në zhvillimin akademik dhe institucional të universitetit, çka është shumë përkushtuese në kohë dhe në përpjekje; të plotësosh një vit mësim ose kërkim në një institucion kërkimor-mësimor jashtë vendit; je në gjendje të japësh leksione në gjuhë të huaja (një mundim shumë i madh ky për kandidatët në zbatim të kësaj VKM-je); ke realizuar si autor i parë pesëmbëdhjetë referime nga të cilat tetë duhet të jenë në konferenca ndërkombëtare dhe me proceedings; ke botuar nëntë artikuj shkencorë origjinalë prej të cilëve dy janë me “impact factor”… Nuk ka njeri që punon në universitet dhe nuk e kupton se e gjithë kjo është e pamundur të realizohet në një kohë pesëvjeçare. Pesë vjet kohë është, mbi të gjitha, fizikisht e pamjaftueshme. Shto mbi të edhe problemet e panumërta të universiteteve shqiptare lidhur me kërkimin shkencor, infrastrukturën, për të kuptuar përfundimisht se kjo VKM, sepse është e pamundur të zbatohet në kohën minimale ligjore, madje edhe për një kohë shumë më të gjatë se ajo pesëvjeçare, ka qenë një dhuratë e helmatisur që politika i ka bërë shkencës. Kjo VKM është “mitra” që ka prodhuar pseudoshkencëtarët e këtij vendi (plotësimi i saj në afatet minimale bëhet vetëm nëse shkelet cilësia e kërkimit dhe prandaj, vetëm nëse sponsorizohesh nga politika apo korrupsioni) dhe “muri kinez” për shkencëtarët me integritet të këtij vendi.
Fakti 2
Institucioni qeverisës për arsimin ndryshoi emërtimin nga i shkencës te i sporteve; nga MASH në MAS. Ndryshimi jo vetëm nuk është shkencor, por del edhe nga shtrati historik dhe ai perëndimor; bëhet thellësisht shqiptar. Që të vendoset në shtratin e një standardi, në titullimin e ministrisë, arsimi duhet ose të mbetet pa asociues, të quhet thjesht Ministri e Arsimit, ose të shoqërohet nga ajo veprimtari shoqërore me të cilën arsimi është i lidhur kazualisht (shkak-pasojë); ose të paktën, ka një korrelacion të fortë me të. Sporti, si veprimtari shoqërore, nuk e gëzon as njërën as tjetrën. Kështu, asnjëri nuk mund të thotë që ai që merret me sport del mirë me mësime, ose që sporti është kusht apo shkak për t’u arsimuar mirë. Nëse gjërat organizohen keq, madje, e kundërta është e vërtetë. Ajo veprimtari shoqërore që i plotëson të dyja kushtet është shkenca, e cila, në sistemin parauniversitar merr formën e aplikimit të dijeve përmes praktikës (hands on) dhe në sistemin universitar merr formën e kërkimit shkencor (research). Të dyja janë shkak dhe përcaktues të cilësisë së arsimimit. Qartësisht, ajo që duhet ta asociojë arsimin është shkenca dhe jo sporti. Jashtë çdo dyshimi, në ndërrimin nga MASH në MAS, mund të zbulohet urrejtja e verbër dhe përbuzja e politikës ndaj shkencës.
Fakti 3
Qeveritë e këtij vendi nuk arritën kurrë ta shkëpusin atë gjasme financim të kërkimit shkencor nga vetja. Ose u mbajt nën kontrollin e ministrisë, ose u fut nën kontrollin e Kryeministrisë, ose janë bërë përpjekje që të vendoset në një agjenci (Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor, AKKSh), që do të konsiderohet si strukturë ndërmjetëse. Ashtu si është konceptuar kjo agjenci (organizimin dhe funksionimin e saj e bën qeveria), ajo nuk mund të quhet strukturë ndërmjetëse, pra, nuk mund të quhet një strukturë që nuk i takon as qeverisë dhe as universiteteve. Ajo i takon qeverisë, jashtë çdo dyshimi, dhe prandaj, të gjitha premisat tregojnë se qeveria do t’i përdorë ato pak para njësoj siç i kanë përdorur të gjitha qeveritë: të zhbëjë shkencën duke e sunduar politikisht.
* * *
Për shkak të kohës së trazuar që përjetojmë brenda, por edhe rrotull Shqipërisë, ndoshta ky shkrim do t’i duket si një luks i pavend jo pak njerëzve. Gjithsesi, vendosa të shpërfill qiellin e ulët të politikës, mizerjen që pritet të derdhet prej tij; pra, vendosa të shkruaj për shkencën dhe shkencëtarët e këtij vendi të varfër, madje edhe në këtë kohë të zymtë në të gjitha pikëpamjet, vetëm sepse ministri i Bujqësisë së qeverisë ekzistuese, pas një fjale që vetëm ai e dinte se kujt i adresohej, u largua nga Konferenca Ndërkombëtare mbi Tokën e organizuar në UBT pa dëgjuar asnjë prej shkencëtarëve që merrnin pjesë në të. Madje edhe pse programi i Konferencës ishte ndërtuar i tillë që nuk kishte ndërprerje, pushim për kafe, pas fjalës së tij. Nuk dëgjoi asnjë prej shkencëtarëve që merren me studimin e tokës, megjithëse toka është problemi më i madh i këtij vendi, i politikave zhvillimore të tij; problem që, për hir të së vërtetës, u trajtua në konferencë në shumë pikëpamje dhe me inteligjencë. Iku nga konferenca, madje, edhe pa iu kërkuar leje shkencëtarëve që kishin ardhur jo vetëm nga departamentet e UBT, por edhe nga Spanja, Italia, Gjermania, Zvicra, Kroacia, Holanda, Mali i Zi, Turqia. Iku duke lënë pas përshtypjen se ata, shkencëtarët, kishin nevojë për të dhe jo ai për shkencëtarët. Se politika nuk ka nevojë për shkencën, as për shkencëtarët. Se politika e këtij vendi, ashtu si gjithmonë ka bërë, bën edhe sot pa shkencën; aq më shumë pa këta kokulurit, stoikët, “jashtërealitetsat”, pra, pa këta “trapat” që ca i quajnë shkencëtarë! Pa kuptuar aspak se, nëse ishte dikush në atë sallë që kishte nevojë të ndiqte konferencën, ishte vetë ai, ministri. Megjithatë, vendosa përfundimisht ta bëja këtë shkrim vetëm atëherë kur, teksa pija kafen në një nga pushimet e konferencës, dëgjova një si pëshpërimë pranë veshit dhe pashë të habitur presidentin e EUROSOIL, pjesëmarrës i konferencës, ndërsa më thoshte me atë anglishten e bukur dhe të plotë se si është e mundur që iku ashtu ai, ministri juaj, pa dëgjuar shkencëtarët, madje edhe pa kërkuar leje, aq më shumë – dhe këtu habia e tij u tret në një hutim mjegullor – si është e mundur ta bënte këtë, ikjen, aq të shëmtuar, edhe pse ka qenë një nga ish-kolegët tuaj?! Ja pra, pse nuk munda të hesht. Pse nuk duhet të heshtim. Pse nuk duhet të heshtin “të heshturit” e këtij vendi, shkencëtarët.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel