Në Kumanovë u “vra” edhe Ohri

16/05/2015 00:00

Nga Sandër Lleshi – Një tjetër mort ra këto ditë ndër shqiptarë. Po bëhet një çerek shekulli që shteti i mbetur nga shpërbërja e Jugosllavisë vret pothuajse rregullisht shqiptarë. 70 vjet pas fashizmit dhe 25 vjet pas Jugosllavisë, Fyrom-a, që mëton me një sforco vanitoze të bëhet Maqedoni, dha një shfaqje makabre, tipike jugosllave, në Kumanovë. E veçanta e kësaj radhe është se, bashkë me shqiptarët, mish për top në lojën e mbijetesës politike të qeverisë së Fyrom-ës u bënë edhe disa policë sllavë.

Shqiptarë të keqpërdorur nga shërbimet famëkeqe të inteligjencës së Fyrom-ës, të tjerë shqiptarë të futur në kurth, si dhe disa policë fatkëqij sllavë u përdorën trashë dhe tragjikisht për të prodhuar një lajm më të bujshëm se sa lajmet skandaloze nga republika e përgjimeve të ulëta që po neverisin botën.

Në një sulm të pashembullt dhe histerik në qendër të Kumanovës, në kundërshtim me normat elementare edhe të “luftës urbane”-ndonëse në këtë rast nuk bëhej fjalë për luftë, por për një aksion policor – forcat e sigurisë së Fyrom-ës, bashkë me zjarrin e gjithë kalibrave të armëve që kanë, zbrazën edhe panikun e mllefin e udhëheqjes së çorientuar të këtij vendi, duke vrarë në terr 22 vetë, plagosur disa të tjerë, traumatizuar një qytet të tërë dhe shkatërruar verbërisht pasurinë e pronën e shumë njerëzve të pafajshëm.

Pa asnjë arsye të qartë! Ende sot masakra është e mbuluar nga terri i mosinformimit. E vetmja “transparencë” është lista e trishtë e detajeve për pagesat e qeverisë së Fyrom-ës për jetët e humbura, plagët e marra dhe dëmet e shkaktuara, largimi “me nderime” i disa ministrave dhe vijimi i mbështetjes së qeverisë nga partnerët shqiptarë në koalicion dhe në opozitë.

E lindur si një projekt për të krijuar pikë takimi mes popujve më të mëdhenj të Ballkanit, shqiptarëve, grekëve, bullgarëve dhe serbëve, duket se Fyrom-a ka pësuar një metamorfozë të çuditshme. Formula bazë e këtij shteti, produkt i një projekti shumë të rëndësishëm euroatlantik, ka qenë ndërtimi i një shoqërie edhe për shqiptarët, edhe për bullgarët edhe për serbët edhe për popujt e tjerë që nuk janë shumicë.

Por në vend të zbatimit me konsekuencë të formulës origjinale të ekzistencës (edhe…edhe…edhe…edhe…), Fyrom-a tentoi të krijonte një formulë të re (pa…pa…pa…), pra pa shqiptarët, pa grekët, pa bullgarët, pa….., për të arritur deri në pragun e një gjendje ekstreme pa NATO-n dhe pa BE-në.

Dhe si për të vërtetuar fatalitetin e emrit të kufomës politike, që ende nuk e ka hequr dot nga flamuri, Fyrom-a u përpoq të rijetësonte shumëçka nga Jugosllavia e vdekur. Që në lindje, Fyrom-a, ishte jo vetëm në emër, por dhe në strukturë, një kopje e zbehtë e shtetit shumëkombësh, të cilit, me sa duket, nuk i trashëgoi vetëm emrin e ngatërruar, por edhe programin bazë, atë të orientimit kundër shumicës së kombeve të tij përbërës. Jugosllavia e vjetër u bë viktimë e përpjekjes për të ekzistuar pa shqiptarët, pa kroatët, pa sllovenët, pa boshnjakët. Edhe kjo e mbetura duket se po ndjek të njëjtin destinim.

Ashtu si krijesat biologjike autofage, që ushqehen me pjesët e trupit të tyre, duket se sillet edhe Fyrom-a. Përpjekja për të mbijetuar pa shqiptarët dhe pa të tjerët, po rrezikon kështu jo vetëm ekzistencën e saj, por edhe paqen dhe sigurinë e krejt rajonit.

Më 9 maj 2015 u vranë 22 njerëz. Por bashkë me ta, në Kumanovë duket se u “vra” edhe Ohri. Marrëveshja e pafat e Ohrit, që duhej të ishte në të vërtetë Kushtetuta e shtetit post-Fyrom, duket se është vrarë përfundimisht në Kumanovë. Pas minimit këmbëngulës që iu bë për rreth 15 vjet, pikërisht nga ata që kjo marrëveshje i kishte shpëtuar në vitin 2001, dhe pas gjakut të derdhur pa kuptim në Kumanovë në vitin 2015, Marrëveshja e Ohrit duket se tashmë është vetëm një dokument arkivor.

Ndonëse qëllimi i Marrëveshjes së Ohrit për të vendosur bazat e së ardhmes për jetën e një shteti shumëkombësh mbetet përsëri aktual dhe jetik për paqen e rajonit, formula bazë dhe sidomos mekanizmat që garantojnë funksionimin e saj kanë nevojë të zbulohen rishtazi.

Iluzioni se mund të ketë një Fyrom pa shqiptarët, një Fyrom me identitet antik, një Fyrom të llastuar politikisht nga bashkësia ndërkombëtare, një Fyrom ku korrupsioni tolerohet në emër të bashkëjetesës, apo arroganca shtetërore tolerohet në emër të luftës kundër ekstremizmit tashmë është i kapërcyer.

Qëllimi i mirë për një shtet që bashkon butësisht e paqësisht shqiptarët, grekët, bullgarët, serbët, vllahët, dhe popullsitë e tjera të rajonit nuk mund të realizohet nga një shtet që mëton të ngrihet mbi një identitet artificial, mbi heronj të huaj, mbi një histori rreme dhe mbi një program nacionalist anakronik.

Ky shtet mund të ekzistojnë vetëm mbi një narrativë të re. Leka i Madh, Justiniani, heronjtë e tjerë të kohëve të shkuara, kuajt e bronztë, shqytet e rënda dhe heshtat e gjata nuk mund të jenë programi i një shoqërie të re të këtij shekulli. Butaforia arkaike dhe provokuese nuk mund të mobilizojë energjitë në shërbim të së ardhmes.

Ndryshimi i kursit të Fyrom-ës nga historia drejt të ardhmes kërkon në radhë të parë një formulë të re politike, e cila duhet të ofrojë jo vetëm një vizion të përbashkët për popujt përbërës të këtij vendi, por, para së gjithash, standarde të qarta dhe mekanizma funksionalë që garantojnë zbatimin e tyre. Modeli i një Zvicre ballkanike duket se është alternativa më e mirë përballë atij të një post- ose ish-Jugosllavie.

Që firoma e Fyrom-ës të zëvendësohet nga fryma e re e një shteti modern, demokratik dhe europian, duhet që elitat udhëheqëse të tij, përfshi edhe ato të bashkësive kryesore etnike, që janë bashkautorë e bashkëpërgjegjës për udhën pa krye ku kanë futur vendin dhe popujt e tij, të lëshojnë rrugën për të rinjtë. Jugosllavët e vjetër e kanë të pamundur ndërtimin e një shteti modern. Jugosllavët e vjetër duhet të zëvendësohen nga europianët e rinj.

Në Kumanovë është “vrarë” edhe Ohri. Vendin e marrëveshjes shumë të përfolur e kurrë të zbatuar me emrin e këtij qyteti të bukur duhet ta zërë një projekt i ri, i hartuar nga njerëz të rinj, i mbështetur dhe i garantuar nga bashkësia ndërkombëtare. Çdo përpjekje për reanimacion është humbje e rrezikshme kohe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA