Durrës, plazhi mes ujërave të zeza; edhe këtë vit problem kryesor, mungesa e higjienës

16/05/2015 00:00

Ndonëse sezoni turistik nuk është çelur ende zyrtarisht, në plazhet e Durrësit, Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit pushuesit kanë nisur të vërshojnë në bregdet.

Por edhe këtë vit, ashtu si në të kaluarën, po përballen me të njëjtat probleme.

Dushet dhe nyjet publike hidro-sanitare nuk jane ngritur, duke detyruar qytetarët të shpenzojnë në baret e shumta ngritur përgjate plazheve. Përtej Plepave, për shkak të mungesës se kanalizimeve të ujërave të zeza, godinat e shumta të hotelerisë dhe banimit edhe këtë verë do të vijojnë të përdorin gropat septike, që derdhen më pas në det.

Probleme ka dhe në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku ndërhyrja në rrugë e Ujësjellës-Kanalizimeve për të disiplinuar ujërat e zeza, ka lënë pasoja në disa zona plazhi.

Së fundmi, ndërmarrja e pastrimit të plazhit të Durrësit është angazhuar për pastrimin, plugimin dhe dezinfektimin e brezit ranor që shtrihet nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, ndërsa pjesa tjetër po realizohet pjesë-pjesë nga vetë bizneset.

Por sipas banorëve të zonës, ajo që duket qartë është ineficenca totale e komunave përgjatë bregdetit, që nuk arrijnë të zgjidhin këto probleme. Si njësi administrative më vete, komunat janë në ditët e fundit të jetës së tyre, sepse pas zgjedhjeve ato do bëhen pjesë përbërëse e bashkive të mëdha.

Top Channel