Votimi elektronik si mjet efikas për dekriminalizimin e politikës

14/05/2015 00:00

Adri Nurellari – Dekriminalizimi është ndër fjalët që më së shumti po dëgjohet kohët e fundit në politikën shqiptare dhe vetë fakti që palët po përpiqen të marrin iniciativa ndërpartiake për këtë fenomen është njëherazi një dëshmi e dështimit të shtetit të së drejtës.

Nuk mund të shpjegohet ndryshe se si ia dolën kriminelët që të futen në kupolën e politikës shqiptare, pra në Parlament pa iu hyrë një gjemb në këmbë prej drejtësisë. Kuptohet që përgjegjësia kryesore bie mbi mazhorancën, e cila ka një shumicë dërrmuese sot në Parlamentin e Shqipërisë dhe i ka të gjitha votat e nevojshme për ta reformuar rrënjësisht sistemin e prokurorisë dhe gjyqësorit.

Faktikisht, sistemi ynë politik gjithnjë e më shumë i ka bërë personat me precedentë penalë instrument efikas partiak e madje kohëve të fundit i ka shndërruar në protagonistë të mirëfilltë. E gjitha kjo lidhet më së shumti me rolin vendimtar të “të fortëve” në zgjedhje.

Nga njëra anë ka të bëjë me bindjen e njerëzve për të votuar një parti të caktuar, duke pasur të ardhura të majme nga veprimtari të paligjshme këta individë kanë mundësi që nëpërmjet patronazhit, pra shpërndarjes së të mirave materiale, të blejnë votat. Nga ana tjetër, roli kryesor i “të fortëve” lidhet drejtpërdrejtë me administrimin e zgjedhjeve.

Në pamundësi për performancë në qeverisje apo të një oferte vizionare politike për të ardhmen, partitë politike gjithnjë e më shumë po mundohen t’i sigurojnë votat me patronazh. Ato janë duke përfituar nga një segment i varfër i shoqërisë, që e detyruar nga gjendja ekonomike është e gatshme të shesin të ardhmen politike për një përfitim material të menjëhershëm.

Mirëpo, kjo gatishmëri për të shitur votën në këmbim të një peshqeshi nuk mund të adresohet menjëherë, sepse lidhet me gjendjen e përgjithshme ekonomike, si dhe me nivelin e arsimit dhe emancipimit të kësaj shtrese. Megjithatë, këtu roli i “të fortëve” është i zëvendësueshëm, sepse edhe politikanët e korruptuar kanë vetë boll para të paligjshme për patronazh.

Mirëpo në procesin e administrimit “të fortët” kanë siguruar një rol ekskluziv dhe vendimtar. Administrimi i procesit tonë zgjedhor në Shqipëri është lënë në dorë të përfaqësuesve partiakë e jo të profesionalizmit, pra ua kanë varur ujqërve mëlçitë në qafë.

Me pak fjalë, sistemi zgjedhor e ka lënë cilësinë e procesit jo nën garancinë e forcës së ligjit, por në atë të raportit të forcave të militantëve apo mercenarëve politikë të përfshirë në terren.

Këtu hyn në lojë edhe roli i “kriminelëve” në terren, të cilët zotërojnë mjetet e dhunshme, përvojën dhe gatishmërinë për t’u përplasur në shërbim të partive që i kanë rekrutuar për të mbrojtur votat e tyre apo vjedhur ato të kundërshtarit.

Të gjithë kanë të freskët në kujtesë numërimin e tejzgjatur të njësisë nr. 5 në Tiranë gjatë zgjedhjeve lokale 2011 apo përplasjet e ashpra në Fier në 2009. Po ashtu edhe në Kosovë problemet e vetme të raportuara gjatë zgjedhjeve kishin të bënin me parregullsi gjatë numërimit të votave brenda partive.

Marrja e masave për rritjen e rigorozitetit, integritetit dhe transparencës së procesit të numërimit do të zhvlerësonte rolin e “të fortëve” dhe do të çlironte partitë prej tyre. Një ndër mënyrat më të mira për ta bërë këtë gjë është përdorimi i votimit elektronik. Është për të ardhur keq që, nëse në vitin 2013 ishim afër përdorimit të votimit elektronik, sivjet jemi edhe më mbrapa në këtë aspekt, pasi as nuk është shtruar fare si temë diskutimi.

Një avantazh thelbësor i votimit elektronik është shpejtësia, nuk mund të manipulohet duke bllokuar numërimin në zonat në disavantazh. Zvarritja e numërimit dhe përpjekjet për të bllokuar apo nxjerrë të pavlefshme kuti të caktuara, ka qenë një ndër taktikat më të përdorura për të deformuar rezultatin.

Kuptohet që kompania që do e ofronte shërbimin e votimit elektronik do të ishte mirë të ishte një kompani prestigjioze ndërkombëtare me përvojë se po u la në dorë të pseudoekspertëve shqiptarë nga ata që hedhin poshtë ekspertizat e FBI-së biem nga shiu në breshër.

Në vitin 2013 u përzgjodh një kompani prestigjioze spanjolle e quajtur Indra, e cila ka pasur vitin e kaluar një xhiro prej 2.9 miliardë eurosh dhe nuk do ta prishte reputacionin e tyre global për të marrë ryshfete për manipulime, sikurse ndodh rëndom me komisionerët tanë zgjedhorë.

Teknologjia sot ka arritur nivele të jashtëzakonshme sigurie dhe kontrolli që do të na ndihmonte shumë me garantimin e saktësisë së procesit të numërimit. Nëpërmjet algoritmit të trefishtë të kodimit të të dhënave (3DES) ne sot kemi të siguruar dhe i besojmë llogaritë bankare dhe transaksionet financiare.

Po të mos ishin mjaftueshëm të sigurta këto nivele sigurie do të ishte shembur ekonomia botërore, prandaj besoj se mund t’i besojmë teknologjisë së avancuar të sotme për sa i përket garantimit të sigurisë.

Një ndër disavantazhet e vetme është mundësia e qasjes dhe përdorimit të teknologjisë për një pjesë të popullsisë, mirëpo kjo nuk është aq problematike për t’u kultivuar në një popull shumë të ri si populli shqiptar.

Aplikimi i votimit elektronik do të kishte edhe përfitime të tjera, përveç garantimit të integritetit të procesit të numërimit. Nëpërmjet votimit elektronik mund të përfshihet më shumë diaspora në jetë politike të vendit, duke votuar në distancë. Po ashtu mund të auditohet shumë më lehtë procesi nëse palët janë shumë afër me rezultatin dhe kërkohet rinumërimi. Kostoja e votimit elektronik është minimale, duke mundësuar kështu gjithashtu që të shtoheshin nismat e demokracisë së drejtpërdrejtë, siç janë referendumet.

Prandaj, nëse qëllimi i dekriminalizimit është i sinqertë dhe me të vërtetë ekziston vullneti për ta pastruar politikën shqiptare nga “të fortët”, atëherë aplikimi i votimit elektronik është një mjet shumë efikas.

Nëpërmjet votimit elektronik do të mundësohej çarmatosja e tyre, pra nuk do të kishin më dobi për partitë në cenimin apo garantimin e procesit të numërimit. Reforma e sistemit të drejtësisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë mbetet një domosdoshmëri për Shqipërinë, mirëpo një hap i parë dhe relativisht i lehtë mund të jetë nxjerrja nga loja e “të fortëve” në procesin e numërimit nëpërmjet përdorimit të teknologjisë dhe praktikave më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.

Rritja e integritetit të zgjedhjeve do të nxiste edhe qarkullimin e elitave dhe pluralizmin politik në Shqipëri, duke mundësuar futjen në garë dhe numërimin e saktë të votave të aktorëve të rinj politik që nuk kanë lidhje me kriminelët për të ruajtur votat e tyre. Fatkeqësisht, të gjitha gjasat janë që e gjitha kjo “stuhi në gotë” për dekriminalizimin është një farsë apo maskeradë, pasi të njëjtat parti që po flasin për rezolutë, po fusin në garë me vetëdije kandidatë që kanë precedentë penalë apo ish-funksionarë të njohur botërisht si të korruptuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA