PE për Kumanovën: Të vendoset urgjentisht stabiliteti politik

14/05/2015 00:00

Delegacioni i Parlamentit Europian për ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë bën thirrje për “rivendosjen urgjente të stabilitetit politik në vend”, si një “nevojë e dukshme” pas ngjarjeve shqetësuese në qytetin e Kumanovës.

Kreu i delegacionit, i djathti slloven Peterle, dhe dy nënkryetarët, socialdemokrati bullgar Stanishev dhe konservatori Dzhambazki, përmes një deklarate të përbashkët për shtyp kërkojnë nga forcat politike vendase, një marrëveshje për rivendosjen e Asamblesë Kombëtare në demokraci të plotë, duke i krijuar kushtet për të trajtuar burimet e kësaj paqëndrueshmërie.

“Ne konsiderojmë se, në këtë kuadër, loja e kartës etnike mund të jetë tepër e rrezikshme për vendin. Ndaj dhe u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë për t’u përmbajtur nga të tilla veprime”, thuhet në qëndrimin e përbashkët.

Eurodeputetët “mbajnë shënim vendimin e qeverisë, për të pranuar dorëheqjet e zyrtarëve kyç, çfarë mund të jetë një hap para në qetësimin e mjedisit politik, për arritjen e marrëveshjes mes partive në qeveri dhe opozitë”, gjë e cila, sipas tyre, do të ulte tensionet dhe do të gjente zgjidhje të shpejtë për t’i dhënë fund krizës politike maqedonase.

Ndërsa grupimi liberal në PE kërkon, që seanca plenare e Strasburgut, javën e ardhshme, të debatojë mbi ngjarjet në Kumanovë, socialdemokratët vendosën të dërgojnë dy eurodeputetë, Knut Fleckenstein dhe Richard Howeitt, për të mbështetur protestat e opozitës kundër qeverisë së Gruevskit.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel