Ndarja e heshtur nga jeta e emigrantit shqiptar

14/05/2015 00:00

Klodian Elezi ishte vetëm 21 vjeç. Emigrant shqiptar me dokumente të rregullta, në Chiari të Breshas në Itali. I apasionuar pas futbollit dhe shumë i dhënë pas punës, e cila i mori tragjikisht jetën të shtunën e 11 Prillit të këtij viti.

Klodiani po punonte në një kantier ndërtimi, i ngritur për “Expo Milano 2015”. Ra nga skela, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Lajmi se, një punëtor i ri shqiptar humbi jetën në punë, u përcoll vetëm nga mediet lokale, por ngjalli reagimin e shoqërisë civile.

Gazetari me origjinë nga Bejruti, por me banim në Itali, Gad Lerner, në faqen e tij në Facebook ia dedikoi 1 Majin vdekjes së Klodianit. Ndërsa shkrimtari, Roberto Saviano analizoi gjatë ngjarjen e 21-vjeçarit shqiptar, duke e lidhur atë me mungesën e kushteve të sigurisë për punëtorët në të zezë.

“Jeta dhe historia e Klodianit, emigrant rezident prej shumë vitesh në Itali, ishte një si shumë të tjerat. Ishte një jetë, si ajo e xhaxhait të tij. Si vdekja e tij. Edhe ai humbi jetën 3 vite më parë, në vendin e tij të punës”, – komenton Saviano në shkrimin e tij.

Edhe Giulio Cavalli, aktor, shkrimtar dhe politikan aktivist në Itali, i dedikoi 1 Majin historisë së Klodian Elezit. Me një gjuhë të ashpër, ai akuzoi politikën italiane për mënyrën, sesi i trajtojnë punëtorët e huaj dhe të pasiguruar.

Top Channel