Ngjarja e Kumanovës, ja plani i kompensimit të dëmeve

12/05/2015 00:00

Qeveria e Maqedonisë ka paralajmëruar se do t’i paguajë të gjitha dëmet, që u shkaktuan nga përleshja e armatosur në Kumanovë. Aktualisht, ekipet po bëjnë vlerësimin e dëmeve në terren, por është paralajmëruar se do të kompensohet i gjithë dëmi.

Në një afat prej 7 ditësh, qeveria do të informohet për situatën në terren nga anëtarët e komisionit, që përbëhet nga përfaqësues të ekzekutivit dhe të komunës së Kumanovës. Deri sa të bëhet vlerësimi i dëmeve, banorët e “Lagjes së Trimave” do të marrin ndihmë të përkohshme, në vlerën e 1600 eurove dhe do t’u paguhet qiraja në shtëpitë ku janë strehuar.

“Të gjitha shtëpitë, për të cilat komisioni vlerëson se nuk mund të jetohet më në to dhe nuk mund të riparohen, do të kompensohen 100%. Pra, do të rindërtohen ashtu siç kanë qenë, që nga themelet”, tha Ejup Halimi, sekretar shtetëror në Qeverinë e Maqedonisë.

“Ndërkaq, në komunën e Kumanovës është formuar shtabi i emergjencave. Janë tri linja online, ku qytetarët do të mund të paraqiten në çdo kohë. Jemi duke kapur edhe problemin më të vogël që ekziston, në mënyrë që të kompensojmë të gjitha dëmet”, tha Amir Shabani, anëtar i ekipit të vlerësimit.

Banorët e “Lagjes së Trimave”, që janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre të rrënuara, rrëfejnë se po përballen me kushte të rënda. Ata kanë mirëpritur vendimin për kompensimin e dëmeve, megjithëse ky vendim nuk i ndihmon të harrojnë tmerrin që kanë përjetuar gjatë luftimeve.

“Kemi dalë në një shtëpi të një familjeje tjetër dhe po jetojmë bashkë. Edhe ata janë ngushtë. Vetëm ne jemi 8 anëtarë. Tre shtëpi të familjeve tona janë djegur. S’kemi ku të shkojmë”, tha Xhevrie Shabani.

“Me asgjë nuk mund të na kompensohet ajo që kemi përjetuar. Sidomos stresi. Shtëpinë mund të na e rregullojnë, por asnjëherë nuk do të jemi siç kemi qenë”, tha Medita Shabani, banore e lagjes.

Në planin e qeverisë, kompensim financiar është parashikuar edhe për familjarët e policëve të vrarë, të cilët do të marrin nga 70 mijë euro. Qeveria do të ndajë të ardhura në vlerë më të ulët edhe për policët e plagosur gjatë aksionit në Kumanovë, por edhe për personelin mjekësor.

 

Top Channel