Ndryshimet në ligjin e arsimit, sindikatat kundër amendimit të nenit për emërimin e mësuesve

12/05/2015 00:00

Sindikatat e arsimit kanë kundërshtuar ndryshimin e nenit 60 të ligjit të arsimit parauniversitar, ku punësimi i mësuesve të mos bëhet më nga një komision ku në përbërje ka mësues dhe prindër, por nga një komision qëi do të varet direkt nga drejtoritë arsimore.

Sindikalistët mendojnë se ky nen do të rrisë korrupsionin në arsim.

“Disa drejtorë shkollash mundohen të bëjnë konkurse fiktive, me qëllim emërimin e tyre. Por komisioni është pengesë për ta, kështu që zgjidhja është vetëm të heqim komisionin nga ligji, dhe ministria t’ua lërë në dorë drejtorëve me udhëzim. Kjo nuk është aspak demokratike. Kur themi që për çdo vend pune të aplikohet konkursi, me qëllim që të punësohet më i afti, kur pranojmë që cilësia për arsim lë për të dëshiruar, në vend që të zgjerojmë komisionin e vlerësimit të kandidaturave për vendin e ri të punës, kërkojmë ta heqim fare atë”, tha Novruz Kaptelli nga Sindikata e Pavarur e Arsimit.

“Mund të pranohej ideja jonë që, ku thuhet me konkurrim të hapur. Procedura, përfshirë edhe përbërjen e komisionit, pa e përjashtuar komisionin e vlerësimit dhe konkurrimit, të përcaktohet me udhëzim të ministrit”, tha Xhaferr Dobrushi, kryetar i FSASH.

Kundërshti të forta ka edhe për mbylljen e alterteksit. Shoqata e Botuesve ka pranuar se gjatë viteve të fundit ka patur abuzime, por skema mund të funksionojë mirë me dy apo tre alternativa për tekst.

“Shoqata e Botuesve nga praktika është kundër ndryshimit të këtij neni dhe kalimit në një tekst, për shkak se ne gjykojmë se nuk është fajtor ligji. Fajtor janë zbatuesit e këtij ligji”, tha Latif Ajrullai nga Shoqata e Botuesve.

“Jam për një kufizim numri 2-3, por sigurisht nuk jam për heqje aleteksti. Për ta përkthyer pak, demokracia ka kosto. Një nga kostot e këqija të demokracisë është korrupsioni. Unë mendoj që problem kryesor i altertekstit janë programet”, tha Ledi Shamku, deputete në komisionin e Medias dhe Arsimit.

Ndryshimi i këtyre neneve, që janë thelbësore për këtë projektligj, ka sjellë shumë debate në komision.

 

Top Channel