Ministri i Shëndetësisë, Beqaj: Testimi i infermierëve do të bëhet

12/05/2015 00:00

Pas vendimit të Gjykatës Administrative se testimi i infermierëve është i ligjshëm dhe do të realizohet, këtë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ua tha në sy infermierëve, teksa ishte i pranishëm dhe u uroi për festën e tyre në Ditën Ndërkombëtare të Infermierit.

“Herën e parafundit që në fakt unë nuk kam qenë me Sabriun, kemi qenë në palë të ndryshme, kemi qenë në gjyq. Fakti që jemi sot nuk do të thotë që kemi hequr plotësisht dorë nga qëndrimet që kishim, por jemi për një gjë të vetëdijshëm, që na duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët. Meqënëse kemi të njëjtin mision, pavarësisht nga pozicionet e ndryshme, për të rritur cilësinë e shërbimit. Nuk ngurroj ta ripërsëris, hiqni nga mendja dy merakë: nuk ju preket vendi i punës, nuk ju preket paga mujore”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Nga ana tjetër, Beqaj tha se “do të bashkëpunojnë në mënyrë që të mbështeten infermierët për edukimin në vazhdim”. Beqaj nuk ka nguruar që, përveç vlerësimit të punës së infermierëve të lëshojë dhe një kritikë për Urdhrin e Infermierit në Korçë, të cilët kanë konsideruar të pafajshëm mjekun dhe infermierin në Korçë. Këta të fundit tërhoqën zvarrë një pacient, duke e nxjerrë nga autoambulanca, ndonëse ministria urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të tyre.

“Një mjek dhe një infermier që atë ditë ishin në shërbim me atë autoambulancë, sipas perceptimit të përgjithshëm publik, janë sjellë në mënyrë jo të rregullt. Pas rreth 10 ditësh, Urdhri i Mjekut dhe Urdhri i Infermierit për rajonin e Korçës kanë marrë vendimet e tyre dhe unë i kam, që qoftë mjeku dhe qoftë infermieri nuk kanë gabuar. Nuk kam vetëm hallin që krijohet një ngarkesë negative për shëndetësinë, dhe më ka rënë barra të ma kalojnë mua si ministër. Por besoj se kjo prish marrëdhënien njerëzore, pacient-profesionist shëndetësie, e cila besoj se juve ju vlen më shumë se sa më vlen mua”, tha Beqaj.

Ndërsa lidhur me testimin e infermierëve, ai do të zhvillohet pasi të jenë përpunuar pyetjet, të cilat do të bëhen në bashkëpunim dhe me Urdhrin e Infermierit.

 

Top Channel