Ngjarjet tragjike të kësaj fundjave në Kumanovë, pritet të diskutohen në Ministerialin e NATO-s pas dy ditësh në Antalia të Turqisë. Këtë e konfirmoi gjatë konferencës së posaçme për shtyp Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kur u pyet nëse Aleanca do të angazhohej pas zhvillimeve të fundit në Maqedoni.

“Pres që të përmendet nga ana e ministrave kur të bisedojmë mbi sfidat në Ballkanin Perëndimor dhe Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Pres që ministrat të flasin edhe për këtë, ndër temat e tjera,  kur të takohemi më vonë gjatë kësaj jave në Antalia”- tha Stoltenberg.

Sekretari i NATO-s shprehu ngushëllimet për humbjet e jetëve dhe shtoi se Aleanca do të vihet më në dijeni për atë që ka ndodhur në Kumanovë në ditët në vijim. Stoltenberg vlerësoi rolin e udhëheqësve politikë që bënë thirrje për qetësi.

“Unë dua të nis me shprehjen e keqardhjes së thellë për humbjen e jetëve të njerëzve dhe të shpreh ngushëllimet për ata që kanë humbur të dashurit e tyre. Jam i inkurajuar me faktin se të gjithë liderët e zgjedhur politikë në mënyrë të qartë e kanë dënuar dhunën, kanë bërë thirrje për qetësi, dhe se është shmangur përshkallëzimi i situatës. Policia ka arritur të menaxhojë situatën, për fat të keq ka pasur disa humbje të jetëve të njerëzve, por policia ka arritur të menaxhoj këtë situatë. Me kujdes do të vazhdojmë ta ndjekim situatën. Kemi një zyre ndërlidhëse të NATO-s në Shkup dhe do të ketë një takim në ditët në vijim, në kuadër të bashkëpunimit që kemi, por pres që aty të dëgjojmë më të rejat mbi atë që ka ndodhur”- u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës.

Stoltenberg kërkoi një angazhim dhe bashkëpunim më të ngushtë mes Shkupit dhe Prishtinës për hetimin e ngjarjes, për të parandaluar, sipas tij, përsëritjen e tyre në të ardhmen.

“Besoj se është shumë i rëndësishëm një kontakt i afërt mes Shkupit dhe Prishtinës dhe ftoj për hetime transparente në mënyrë që të saktësohet se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur, për të parandaluar me të gjitha mundësitë që diçka e ngjashme të ndodhë sërish, që të shmanget përsëritja e dhunës në të ardhmen dhe të vazhdojmë punën me Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në kuadër të Planit të Veprimit për Anëtarësim, që kemi ngritur e mbi të cilin po vazhdojmë”- deklaroi Stoltenberg.

“Siguria e aleatëve tanë është detyra thelbësore e NATOs, ndaj dhe kemi forcuar mbrojtjen më të madhe kolektive që prej luftês së ftohtë”- u shpreh kreu i Aleancës. Ai rënditi temat e tryezës së ministrave të Jashtëm në Turqi, ku mes tyre nuk bëjnë pjesë mosmarrëveshjet mes shteteve anëtare për çështje bilaterale, të cilat mund të përmenden vetëm në takime të veçanta dypalëshe mes vetë aleatëve.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel