Ilir Yzeiri – Një nga ngjarjet që më ka tërhequr vëmendjen kohët e fundit është sjellja e Marinë Lë Pen, lideres së Frontit Nacional në Francë ndaj të atit, Zhan Mari Le Pen, themeluesit të kësaj force radikale.
Për shkak se i ati bënte deklarata të papërshtatshme, idiote ndonjëherë, si ato për hebrenjtë dhe fatin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, pra shkurt, për shkak se i ati kishte filluar të rridhte nga trutë dhe bënte deklarata të papërgjegjshme, e bija e përjashton nga Fronti, e detyron të mos vërë emrin në zgjedhjet rajonale dhe e dërgon përpara Komisionit Disiplinor të Partisë që të japë llogari për deklaratat e papërgjegjshme apo për gjuhën si plak i rrjedhur që ai përdor në publik. Natyrisht, krahasimi çalon, thoshin grekët e lashtë, por edhe ne e kemi një të personazh të tillë. Sali Berisha është bërë një “lavire fejsbuku” po të përdornim një term të tijin, që ai e futi në punë për të ofenduar e për të sharë Kryeprokuroren e vendit. Mirëpo, askush nga Partia e tij, nuk merr mundimin ta frenojë. Me gjysmë zëri, Mesila Doda u shpreh se këtij ligjërimi i ka ikur koha. Atij ligjërimi jo vetëm që i ka ikur koha, por ai është bërë i neveritshëm, prodhon vetëm një shije të keqe dhe të hidhur. Ai ligjërim e ndot këtë vend më shumë se të gjitha tymrat dhe thërrmijat e pluhurit, sepse ai ligjërim na projekton neve si një vend shpellarësh, që demokracisë i thonë luftë bandash dhe llomotitje kazani, shpifje dhe fyerje pa asnjë doganë.
Pse nuk bëhet ky vend?
Historia e Berishës si politikan është historia më e trishtuar e këtij vendi, është paradigma që vërteton thënien dashakeqe se ky vend nuk bëhet. Berisha pati gjithë fatin e mundshëm që mund të ketë një njeri. Arriti gjithçka në jetë. Ra dhe u ngrit prapë. Pra, i dhuroi fati gjithçka që ëndërron një njeri. Dhe të gjitha këto iu dhuruan një njeriu që nuk kishte bërë asgjë për t’i merituar ato. Nga komunizmi apo diktatura ai përfitoi për shkak të modernizimit komunist që parashikonte përhapjen e arsimit dhe barazinë për të gjithë, përveç kundërshtarëve politikë. Rasti i Berishës është dëshmia e meritokracisë së borgjezisë komuniste, sepse talentin për të mësuar ia shpërbleu duke e vendosur në qendër të sistemit shëndetësor dhe duke e bërë pjesë të elitës komuniste. Përmbysja komuniste i dha një mundësi tjetër që ai të ridimensiononte portretin dhe profilin e tij, por këtu fillon katastrofa. Në qoftë se komunizmi të lejonte të shfaqje vetëm profilin profesional dhe të detyronte të fshihje karakterin dhe dinjitetin njerëzor, demokracia të lë zbuluar. Dhe ky njeri që e mori si dhuratë skeptrin e liderit të së djathtës në Shqipëri, u soll me të si një barbar. Këtu nuk dua të bëj biografinë e tij politike, sepse ajo është e mbushur vetëm me anë të errëta, por dua të shtroj një çështje tjetër. Si ka mundësi që ky njeri nuk ka një minimum ndjenje humane dhe prindërore, që të vështrojë karrierën e tij dhe të tërhiqet mënjanë e të shkruajë libra. Të flasë vetëm për çështje të mëdha, për interpretime filozofike të historisë apo të aktualitetit. Burrat e mëdhenj të shteteve, kur largohen nga drejtimi hyjnë në një refleksion të thellë dhe përpiqen me çdo kusht që ta ndihmojnë vendin që u dha atyre gjithë shansin, që i bëri ata bijtë më të njohur. Si ka mundësi që ky njeri, jo vetëm që nuk ka shkruar një libër, por i qëndron besnik fjalorit të tij prej rrugaçi ordiner dhe e ka katandisur veten në një personazh të vockël fare, në një thashethemxhi kioske që çdo javë e çdo ditë vetëm shpif. Dhe më e bukura e gjithë kësaj është se ky njeri ndërton fabula makabre me temë deformimet seksuale. Është e paimagjinueshme sesi ky njeri nuk e ka ndjenjën e turpit apo të drojës.
Ndaj dhe brezat nuk ndërrohen
E përmenda në fillim rastin e Le Penit për të shtruar edhe një problem tjetër, atë të ndërrimit të brezave. Filozofët e komunikimit thonë se historia, veç të tjerash ka si autorë breza të ndryshëm, të cilët ndërrohen dhe lënë gjurmë në atë që quhet “protention”, arkeologji, arkiva, dokumente, etj. E shkuara është një dominante në veprimin e së ardhmes dhe ndonjëherë ajo mund të përcaktojë edhe fatin e saj. Me përjashtim të diktaturave, shoqëritë demokratike kanë vendosur standarde të qëndrueshme në mënyrë që brezat të ndërrohen e të shkëmbehen pa dhunë. Mirëpo te ne nuk ndodh kështu. PS-ja që vjen nga tradita e hershme e Partisë së Punës ka bërë një revolucion të thellë dhe ka ndërruar disa herë liderët e saj dhe brezat e drejtimit. PD-ja, për fat të keq, është ngurtësuar dhe është rrudhur. Sot veprimi politik i kësaj force dominohet nga ligjërimi i Berishës dhe jo nga veprimi i liderit aktual. Madje ky i fundit ende nuk ka krijuar një profil të dallueshëm. Në shumë raste, ai përsërit me një metaforë më abstrakte të njëjtën tematikë që zbulon Berisha në Fejsbuk apo në sms-të që i vijnë nga nuk dihet se kush. PD-ja është një forcë politike e madhe dhe ka mundësi që të bëhet një alternativë e besueshme, por deri tani, shqiptarët nuk po e shohin këtë alternativë. PD-ja, përmes Berishës, po na vë gjithmonë përpara një teksti të shkruar nga një autor i pornopolitikës, siç është Berisha, i cili çdo javë na tregon nga një histori të trilluar. Rasti me shpifjen ndaj Keti Bazhdarit ishte vetëm vijimi i një ligjërimi që po bëhet kaq i neveritshëm në këtë vend, sa me të drejtë shumica e njerëzve thonë se ky vend, për sa kohë që si alternativë ka Berishën, vërtet nuk bëhet.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel