Minxhozi: Politika jonë me dy fytyra, një për të enjten, një për ndërkombëtarët

08/05/2015 00:00

Si çdo të premte, për të folur mbi zhvillimet e javës, në studion e edicionit qendror informativ të Top Channel ishte analisti Skënder Minxhozi.

Minxhozi foli për mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Integrimit, dekriminalizimin dhe fushatën zgjedhore, e cila edhe pse s’ka nisur ende zyrtarisht është përshkallëzuar me ritme të shpejta.

Ilir Paço: Nisi nga puna Këshilli Kombëtar i Integrimit, ku palët u angazhuan për të bashkëpunuar. Sa real mendoni se do të jetë bashkëpunimi në emër të integrimit, nisur edhe nga përvoja e viteve të fundit, ku fjalët nuk kanë munguar, por punë nuk kemi parë?

Skënder Minxhozi: Është një rast i vjetër, i parë shumë herë në Tiranë, Bruksel dhe Strasburg, kudo ku ka kontakt me ndërkombëtarët. Politika shqiptare ka dy fytyra, një në parlament për të enjten, dhe një për takime të tilla. Kur flitet për axhendën kombëtare, aftësia për të arritur në një kompromis është minimale. Tryeza është një kontrast me atë që ndodh çdo javë dhe me tonet e fushatës, që ka sjellë gjithçka, përveçse bashkëpunimit.

Ilir Paço: Megjithatë është një hap përpara…

Skënder Minxhozi: Do ta quaja disa centimetra përpara. Fakti që i hapet rrugë opozitës për të drejtuar struktura të tilla, me kryeministra dhe ministra brenda, të bën të shpresosh që të paktën mund të ketë një bashkëpunim në letër. Sa i përket thelbit të bashkëpuinimit politik, mendoj që jemi larg.

Ilir Paço: Si po të duket fushata që është përshkallëzuar. Shikojmë nga dy –tre takime elektorale në ditë të kryetarëve të partive që prezantojnë kandidatët në 61 bashkitë e reja, siç kemi parë, ku nuk kanë munguar edhe incidente si ai i Ersekës?

Skënder Minxhozi: Me këtë ritëm do të kemi nga 2-3 prezantime. Të gjithë po turren, të gjithë drejt fushatës ku duan të shohin veten dhe provojnë kundërshtarin. Zgjedhjet vendore shpesh nuk janë zgjedhje të mirëfillta politike, flitet për ujësjellësa, për shtrim rrugësh dhe për njësitë vendore dhe qeverisjet vendore, kurse këtu sapo shfaqen figura që shkon përtej qeverisjes vendore, nis një garë politike. Një garë politike është në Tiranë, një figurë e lartë politike nga të dyja krahët, në Durrës po ashtu edhe në Korçë. Fushata ka marrë një ritëm që nuk i përkon kalendarit. Është më e lartë nga çdo duhej dhe mendohej.

Ilir Paço: Dekriminalizimin partitë nuk e bënë dhe mesa duket zyrtarët ndërkombëtarë këtë herë nuk do të heshtin. Ambasadorja e BE-së, Vllahutin tha dje për Top Channel se do të presim deri më datën 13 dhe pastaj do flasim qartë. Mendon se do të flasin qartë, dhe çfarë mendon se do të ndodhë me emrat?

Skënder Minxhozi: Do të kisha preferuar që në datën 13 të fliste një gjykatë shqiptare, por që të flasë një diplomat i huaj, më duket anomali shqiptare që tregon sesa i pazotë është sistemi i drejtëisë në Shqipëri, sesa të paafta janë gjykatat, ose sesa të rreshtuara politikisht, ose për arsye financiare, korruptive apo klanere,  që japin gjithçka përvecse vendime të drejta. Megjithatë më mirë kaq sesa hiç. Më mirë kaq sesa një sistem drejtësie që nuk lëviz. Mbete të dëgjojmë se çfarë do të thuhet më datë 14. Por është vonë që partitë të vihen në një pozitë të tillë që të mblidhen nga ambasadorët dhe t’u thuhet që X kandidat është i inkriminuar, pasi nuk ka më kohë për partitë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA