Mblidhet Këshilli Kombëtar i Integrimit, palët angazhohen për bashkëpunim. BE: Të mos ketë të paprekshëm

08/05/2015 00:00

Pas disa muajsh mosmarrëveshjesh dhe dyshimesh për nevojën e një institucioni tjetër për procesin integrues, Këshilli Kombëtar për Integrimin u konstituua, duke ia besuar drejtimin opozitës.

Aq më shumë ky besim nuk vihet në dyshim nga drejtuesit e mazhorancës, kur ai do të drejtohet nga Majlinda Bregu, një njohëse e procesit dhe opozitare e toneve të reformuara me qeverinë, që megjithatë u zotua të jetë monitoruese e rreptë e detyrimeve për reformat kyçe.

“Rrugë tjetër për në Europë, veçse të plotësohen detyrimet nuk ka. Ose ka një rrugë, që shqiptarët po e përdorin sot frikshëm, në këtë situatë tonën energjike të mosmarrëveshjeve politike dhe sigurisht edhe më keq, nganjëherë edhe të mosplotësimit të standardeve. Jo vetëm data e anëtarësimit, por edhe negociatat, në rast se nuk zbatohen detyrimet, mund të kthehen në një pritje të gjatë dhe të hidhur. Me shpresën se Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian nuk do të mbetet vetëm në strukturën në këtë proces, dhe duke uruar që qeveria të ketë veshë e të dëgjojë, dhe të gjejë forcën për të mos qenë hilacake me integrimin europian të Shqipërisë, ju falënderoj të gjithëve”, u shpreh Majlinda Bregu, deputete e PD-së.

“Shpresoj që formësimi i këtij këshilli të jetë një shembull frymëzues për opozitën, që t’i bashkohet edhe përpjekjes gjithëpërfshirëse të shumicës në tryezën e reformës së drejtësisë. Suksese të gjithëve dhe në radhë të parë suksese kryetares së këshillit në drejtimin e këtij institucioni të ri, të formuar me vullnetin e plotë dhe asnjëherë më parë të verifikuar të shumicës qeverisëse të vendit tonë”, deklaroi kryeministri Rama.

Ndërsa palët i drejtohen njëra-tjetrës të zotohen për bashkëpunim, Bashkimi Europian ka një zotim më specifik për të gjitha vendet, që kërkojnë të avancojnë drejt Unionit: Të garantojnë, që drejtësia të veprojë mbi ata, që konsiderohen të paprekshimit, ose ndryshe njerëzit e veshur me pushtet.

“Nuk ka gjëra të paprekshmë. Vendet që e kanë kaluar këtë periudhë tranzicioni, janë prova më e mirë për këtë. Shteti i së drejtës duhet të prevalojë. Nëse kjo ndodh, Shqipëria do të ecë shumë shpejt”, tha Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së në Tiranë.

“Pas marrjes së statusit të vendit kandidat, një njohje ndaj progresit substancial të vendit tonë, fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian mbetet objektivi kryesor i ndërveprimit politik e shoqëror”, theksoi kryeparlamentari Ilir Meta.

Me gjithë ambicien e politikës vendase për hapje negociatash, Shqipëria nuk e ka ende një datë për hapin pasues pas marrjes së statusit të vendit kandidat.

Top Channel