Levan, kaos në ndarjen e ndihmave për zonat e përmbytura

08/05/2015 00:00

Shpërndarja e disa ndihmave, kryesisht rroba të përdorura për komunitetin rom në komunën Levan, është bërë në mënyrën më të keqe të mundshme.

Pa asnjë rregull, listë dhe pa asnjë organizim, janë thirrur banorët e lagjeve rome në Levan që të marrin pakot dhe thasët dhe gjithçka ka përfunduar në një pamje të shëmtuar, ku gjithkush merrte çfarë të mundte.

Ndihmat kanë ardhur në komunë për banorët e dëmtuar nga përmbytja e më pas komuna vendosi t’ua ndajë banorëve. Këta të fundit thonë se persona të ndryshëm u kanë kërkuar pagesa në shkëmbim të ndihmave.

Ndërkohë, kryeplaku i fshatit Levan, Napoleon Lamçe, thotë se ndarja e këtyre ndihmave u urdhërua nga kreu i Komunës dhe Prefektura e Fierit.

Ai fajëson banorët për situatën e krijuar. Ndërkohë, thuhet se kjo sasi ndihmash ishte vetëm një nga ngarkesat prej 6 tonësh, kryesisht tekstile të përdorura, që janë sjellë si ndihmë për banorët romë në Levan.

 

Top Channel