Mbështetja me fonde për bujqësinë, Panariti: Në Elbasan përfitojnë 400 fermerë

07/05/2015 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, inspektoi një vreshtari në fshatin Togëz të Librazhdit, e cila është subvencionuar nga shteti.

Sipas ministrit, skema e subvencioneve nuk është ende në nivelin e duhur, por vit pas viti fondet po shtohen. Ai tha se për këtë vit, në qarkun e Elbasanit do të përfitojnë 400 femerë, prej të cilëve gjysma nga rrethi i Librazhdit, ndërkohë që prezantoi edhe projektin e ri të subvencionimit.

“Ne do të shpërndajmë grante në mbështetje të blegtorisë dhe bujqësisë. Kemi dy prioritete për Librazhdin: mbështetjen e iniciativave në pemishte e vreshta dhe në bagëti të imët. Këto janë dy pikat më të forta të rrethit të Librazhdit”, u shpreh Panariti.

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, u tha banorëve se skema e mëparshme e subvencionimit ka qenë një skemë korrupsioni, por tashmë, sipas tij, ky sistem po funksionon. Ai u bëri thirrje banorëve të denoncojnë çdo rast të abuzimit, nëse hasin në të tillë.

“E di shumë mirë që historia e subvencioneve ka qenë një histori korrupsioni, ku shkoje të aplikoje dhe të thoni që gjysmën e parave do ia japësh koordinatorit dhe gjysmën e parave do e mbash për vete. Këtyre historive duhet t’i japim fund. Ju kërkoj me ngulm që raste të tilla t’i denonconi”, tha Balla.

Pas kësaj thirrjeje, disa prej fermerëve paraqitën ankesat e tyre në lidhje me mungesën e mbështetjes nga zyrtarët lokalë. Pas kësaj ankese, një prej zyrtarëve të Drejtorisë së Bujqësisë në Librazhd, është pezulluar.

Top Channel