Kanada, më shumë pushtet shërbimeve sekrete

07/05/2015 00:00

Ligji që do të zgjerojë dramatikisht pushtetin e shërbimeve sekrete në Kanada ka kaluar një pengesë të rëndësishme.

Një nga dhomat e Parlamentit kanadez miratoi të mërkurën Aktin anti-terror, që u prezantua vitin e kaluar, pas sulmit ndaj institucionit legjislativ.

Ky Akt i jep agjencisë së spiunazhit mundësinë për të vepruar jashtë vendit dhe për të kryer arrestime me qëllim parandalimin e sulmeve. I dominuar nga Partia Konservatore, Senati kanadez pritet të miratojë Aktin përpara qershorit.

Kryeministri Stephen Harper ka qenë një mbështetës i projektligjit, që penalizon promovimin e terrorizmit, përfshirë atë përmes internetit.

“Mundësitë për një sulm nga brenda territorit janë të mëdha. Kërcënimi i terrorizmit nuk ka qenë kurrë më i madh”, ka thënë ndërkohë ministri kanadez i Mbrojtjes, Jason Kenney.

Projektligji e bën më të lehtë për policinë të arrestojë dhe të burgosë individët e dyshuar, pa ngritur asnjë akuzë ndaj tyre.

Kritikët reaguan duke thënë se ligji është shumë i gjerë, ka mungesë mbikëqyrjeje të veprimtarisë së shërbimeve sekrete dhe kërkuan ndryshimin e tij, por përpjekjet e tyre dështuan.

Ndërsa katër ish-kryeministra kanadezë dhe 5 gjyqtarë të Gjykatës Supreme kanadeze kanë shkruar letra publike, ku vënë në dyshim ligjin në fjalë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB