PS hedh poshtë akuzat e Palokës: Shpifje!

06/05/2015 00:00

Partia Socialiste ka hedhur poshtë deklaratat e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratik, Edi Paloka, i cili akuzoi kryeministrin Rama se po përdor administratën për të marrë vota.

Deklarata e Palokës u bë një ditë pasi ish-kryeministri Sali Berisha publikoi një video, ku pretendohet se është kryeministri Rama teksa u kërkon drejtorëve dhe shefave të administratës një numër të caktuar votash.

“Shtabi i fushatës elektorale të Partisë Socialiste nënvizon se kryetari i Partisë Socialiste, as nuk ka bërë dhe as nuk do të bëjë mbledhje me administratën për ta angazhuar atë në fushatën e PS duke përdorur detyrën e kryeministrit. E njëjta gjë vlen edhe për çdo ministër të qeverisë sonë. Shpifjes së radhës së Partisë Demokratike, përmes shpifësit profesionist Edi Paloka sot, dhe shefit të tij Sali Berisha dje, sqarojmë edhe njëherë se, çka përdoret si provë e ndonjë shkeljeje të etikës së kryetarit të Partisë Socialiste në raport me administratën, është një trillim qesharak për këdo që e di se si është e organizuar makineria elektorale e Partisë Socialiste”- thuhet në deklaratën e PS.

Në komunikatë thuhet se “koha kur administrata përdorej rëndom për elektorat, ka vdekur më 23 Qershor 2013”, madje përmend edhe urdhrin e nxjerrë nga kryeministri për ndalimin e fondeve  apo logjistikës së institucioneve publike për qëllime fushate.

“Edi Rama ka urdhëruar që çdo anëtar i qeverisë, përfshi edhe atë vetë, t’i mbulojë me të ardhurat e veta çdo shtesë shpenzimesh karburanti gjatë periudhës së fushatës. Po ashtu, kryeministri ka bërë të qartë se nëse do të ketë raste mbylljeje shkollash apo nxjerrjeje të organizuar nga drejtoritë ose mësues të caktuar të nxënësve në aktivitete elektorale, ndëshkimi do të jetë i pashmangshëm për çdo person përgjegjës. E njëjta gjë vlen edhe për çdo abuzim të mundshëm me administratën të cilitdo që ka për qëllim të detyrojë punjosësit e shtetit të marrin pjesë në fushatë ose të votojnë me detyrim partinë në pushtet”- shtohet në reagimin e socialistëve.

Top Channel