Protesta në Shkup, 38 policë të plagosur dhe 30 protestues të arrestuar

06/05/2015 00:00

Të paktën 38 pjestarë të policisë janë lënduar dhe 30 persona janë arrestuar gjatë protestës që u zhvillua mbrëmjen e së martës para selisë së qeverisë në Shkup.

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska e quajti sulm vandal ndaj policisë protestën e dhunshme të një dite më parë. Siç raportoi ajo, protestuesit kanë shkatërruar shtatë vetura të policisë, kanë hedhur sende të forta në drejtim të forcave të rendit dhe kanë ulur edhe flamujtë shtetërorë nga shtyllat para selisë së qeverisë.

“Qytetarët e Maqedonisë mbrëmë ishin dëshmitarë të sulmeve brutale ndaj pjestarëve të policisë, me gurë, me shufra hekuri dhe sende të tjera të forta. Qytetarët po ashtu ishin dëshmitarë për aktin më të turpshëm që ndodhi në protesta, kur u përdhos dhe u ul flamuri shtetëtor i Maqedonisë”, deklaroi Jankullovska.

Por nga ana tjetër, opozita maqedonase theksoi se policia ka qenë ajo që provokoi protestuesit të cilët më pas i ka rrahur në mënyrë brutale. Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov tha se dhuna e ushtruar nga policia ndaj qytetarëve është dëshmi se kryeministri Gruevski tashmë ka zgjedhur që të largohet nga pushtetit si diktator.

“Strukturat policore me urdhër të Gruevskit kanë rrahur shumë të rinj, gra dhe qytetarë të pafajshëm, shumë prej të cilëve janë arrestuar. Ky askion është përgatitur në shtëpinë e Gruevskit, i cili ka zgjedhur të ndjekë rrugën e diktarorëve si Millosheviçi, Çaushesku apo Lukashenko për t’u larguar nga pushteti”, tha Shilegov.

Lidhur me zhvillimet e dhunshme në protestën para selisë së qeverisë kanë reaguar edhe drejtuesit e Komitetit të Helsinkut në Shkup. Kjo organizatë vlerësoi se policia ka tejkaluar autorizimet duke përdorur forcë të tepruar për shpërndarjen e protestuesve.

Top Channel