KQZ shmang qëndrimet për fushatën, debaton për kandidatët e pavarur

06/05/2015 00:00

Përkundër nga sa pritej, mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk është ndalur fare në diskutimin e deklaratës së një dite më parë të kryetares së këtij institucioni, Lefterie Luzi, që i kërkonte partive politike të ndërprisnin fushatën, ndërsa medias ndalimin e transmetimit të saj.

Si të propozuarit nga e majta në KQZ, ashtu dhe ata nga e djathta e kanë kaluar në heshtje këtë qëndrim të kryetares, që paralajmëroi madje edhe ndëshkim për subjektetet politike, çka sipas hartuesve të Kodit Zgjedhor është i pabazuar në ligjin aktual elektoral.

Debatet e vetme në mbledhjen e radhës ishin ato mes kryetares së KQZ dhe përfaqësuesit të PD në këtë institucion, gjatë shqyrtimit të kërkesës së një kandidati të pavarur në Rrogozhinë. Kandidatët e tretë në garë, mes dy përfaqësuesve të koalicioneve të mëdha, mesa duket do të jenë risia e këtyre zgjedhjeve.

Thuajse për çdo bashki ka emra të tjerë në garë për karriken e kryebashkiakut. Një pjesë janë të pavarur dhe të tjerët të mbështetur nga parti të vogla jashtë koalicioneve të mëdha, ose parti të reja të krijuara vetëm për të lehtësuar marrjen e firmave për kandidatin.

Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur dhjetëra kërkesa për regjistrimin e tyre. I pari me të cilin nisi ky proces gjatë kësaj mbledhjeje ishte një kandidat në Rrogozhinë, aktualisht kryetar i komunës Kryevidh i Partisë Socialiste, që tani garon nën siglën e PSD-së së Skënder Gjinushit.

Ndërsa emri që tërheq vëmendjen në këtë rend të kësaj mbledhjeje është ai i Albert Çaçit, ish-deputet i PS, i propozuar nga partia e Gjinushit si kandidat në Fier. Bashkë me Vasil Bedinaj si kandidat i pavarur në Vlorë, Gjergj Bojaxhi si kandidat i pavarur në Tiranë ishte gjithashtu në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje.

Top Channel