Durrës, Duma: Çdo investim të kthehet në sinergji ekonomike

06/05/2015 00:00

Kandidatja e PD-së për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, zhvilloi një bashkëbisedim me arkitektë dhe urbanistë të qytetit, me të cilët ndau vizionin e një qyteti si njësi ekonomike.

Pjesë e diskutimit të gjerë përfishiu rigjenerimin e komuniteteve në qytet dhe rrethina, rritjen e cilësisë së jetës së durrsakëve në kaosin urban të shkaktuar në këto vite, si dhe kthimin e qytetit drejt zhvillimit ekonomik dhe rritjes së punësimit.

Urbanistët dhe arkitektët e qytetit kërkuan nga zonja Duma të vërë në zbatim vizionin e saj për një zhvillim të qendrueshëm.

“Në vizionin tuaj të implementoni një frymë për të shpërndarë investime në kuota të vogla, por me impakt sa më të madh dhe në sa më shumë shtrirje gjeografike”, tha një prej arkitektëve të qytetit, Indrit Hamiti.

Vetë kandidatja Duma kërkoi nga profesionistët e të githa fushave në qytet një komunikim të hapur, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet.

“Të qëndrojmë në komunikim të vazhdueshëm për të zgjidhur problemin e konkurrencës së drejtë midis të gjithë aktorëve dhe të kemi pjesëmarrjen e gjerë të aktorëve në treg. Kjo është e vetmja mënyrë për të bërë punësimin. Për mua është detyrim ndaj jush të merrni vendin që u takon në pjesën e qytetit që ju e njihni më shumë se kushdo”, tha Duma.

Ajo u shpreh se projekti i saj e kthen Durrësin në një qytet, në njësi ekonomike ku çdo investim do t’i shërbejë vetëm rritjes së miqëqenies që qytetarëve.

“Do të doja që bashkë të biem dakord për atë që është kolona e projektit të vazhdueshëm: Durrësi si njësi ekonomike. Pra, si ta përkthejmë çdo investim në sinergji ekonomike për komunitetet”, u shpreh Duma.

 

Top Channel