Vendet e Ballkanit, plan të njësuar për ndalimin e azilantëve

05/05/2015 00:00

Vendet e Ballkanit Perëndimor po bashkëpunojnë për të hartuar dhe pasur procedura të njësuara të skanimit në Pikat Kufitare, për të parandaluar azilantët.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka marrë pjesë në Ministerialin e Salzburgut në Austrisë, ku u diskutua edhe çështja e migrimit.

“Po punojmë bashkërisht në rajonin e Ballkanit për të hartuar dhe pasur procedura të njësuara të skanimit në Pikat Kufitare, duke e konsideruar këtë një instrument shumë të fuqishëm për të parandaluar azilantët dhe kjo është arsyeja pse në sesionin e parë biseduam për të patur ekspertizë dhe ngritje kapacitetesh nga partnerët tanë europianë, për të përforcuar instrumentët në kufi për parandalimin e azilkërkuesve të paligjshëm që në vendin e origjinës”, tha Tahiri.

Ndërkaq, ai kërkoi sërish nga vendet e BE-së që të shkurtohet koha e shqyrtimit të një kërkese për azil. Aktualisht, kjo procedurë zgjat 6 muaj, dhe ministri kërkoi shkurtimin e saj në të paktën 2-3 javë.

“Kemi nevojë që këto procedura të jenë sa më të shkurtra, pasi kjo është e vetjma mënyrë që ato të mos vlejnë si ftesa për qytetarët tanë”, tha Tahiri, duke shtruar nevojën për veprime dhe vendimmarrje prej partnerëve strategjikë në BE.

Në këtë Ministerial morën pjesë vendet anëtare të Forumit të Salzburgut dhe vendet mike, mes tyre Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

 

Top Channel