Halim Kosova takon banorët e Farkës dhe Petrelës: Komunikim dhe transparencë me qytetarin

04/05/2015 00:00

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova u takua me banorët e Farkës e Petrelës, ku dëgjoi shqetësimet e tyre për varfërinë, papunësinë dhe pamundësinë për të shitur produktin e tyre.

Në takimin e zhvilluar në Petrelë erdhën edhe qytetarë që kanë mbështetur Partinë Socialiste, por që, sipas një njoftimi për shtyp të PD, deklaruan se ishin të zhgënjyer.

Nga ana e tij, Halim Kosova u angazhua se do të vërë në jetë projekte që do të bëjnë të mundur financimin e fermerëve dhe krijimin e pikave të grumbullimit ose tregjeve në Tiranë për produktin e tyre.

Kosova u tha banorëve se ai do t’u shërbejë, pa asnjë dallim, siç ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij, pa i pyetur njerëzit që kishin nevojë se kujt i përkisnin dhe nga vinin.

Gjithashtu, ai premtoi se do të ketë transparencë absolute në bashki për fondet dhe administrimin e tyre.

“Komunikimin që kam pasur me pacientin do ta kem me qytetarin. Do të ketë një sistem të përsosur, që çdo njeri që nuk gjen një zgjidhje aty ku banon dhe ka një sugjerim të ketë mundësi të ma sjellë mua. E dyta, mënyra më transparente e mundshme e fondeve”, tha doktor Kosova.

Top Channel