Tirana destinacion turistik, Kosova: Do të jetë burim të ardhurash dhe punësimi

03/05/2015 00:00

Nëse do të zgjidhet kryetar bashkie, doktor Halim Kosova, kandidati i së djathtës mendon se, do t’i sjellë Tiranës, të ardhura nga turizmi dhe të krijojë vende pune.

Ai ka qenë në një takim me njohës të fushës dhe operatorë turistikë. Doktor Kosova u ndal te rëndësia e informacionit për zonat turistike të kryeqytetit.   

“Informacioni për turizmin nuk është i rëndësishëm vetëm për turistët, por është i rëndësishëm dhe për ne vetë që jemi këtu, që edhe ne ta dimë se çfarë kemi përreth, sa kala kemi, sa shpella kemi, sa vende të bukura piktoreske kemi që duhet të shkojmë . Unë do të mirëprisja çdo lloj gjëje sepse sa më shumë ide të ketë, aq më e pjekur del edhe strategjia e qytetit të Tiranës për të vizituar veprat e rëndësishme që Tirana ka dhe të përcaktojmë guida, dhe pika informacioni në të gjitha anët e qytetit ku edhe turisti ta dijë cilat janë qendrat që s’duhen lënë pa parë, cilat janë vlerat tradicionale”, tha Halim Kosova.

Mali i Dajtit emblema turistike e kryeqytetit është një shqetësim për alpinistët. Doktor Kosova i ftoi të gjithë për të bashkëpunuar.
 
 “Tirana ka një ‘mbret’ dhe ai është Mali i Dajtit të cilin do ta respektojmë të gjithë. Çfarë do të bëni ju në të ardhmen për masivizimin e sporteve që kanë lidhje me natyrën?”, pyet një alpinist.

“Numër një do ishte çfarë kemi gati. Ato që kemi gati t’ia ofrojmë turistëve. E dyta, në një plan shumë të afërt, çfarë mund të bëjmë për të ofruar ato gjëra që ne i kemi, por që duan edhe ndonjë rikonstruksion që ta futësh turistin, por edhe neve vetë kur të shkojmë ta shohim. E treta, për gjërat tradicionale të Tiranës dhe komunave përreth, të gërmojmë ku ka gjëra që janë tradicionale dhe atraktive, por që i ka mbuluar koha”, tha Kosova.  

Një grup turistesh nga Çekia janë takuar me zotin Kosova, ai u foli për mundësitë që ofron kryeqyteti, dhe u dhuroi një guidë mbi atraksionin turistik dhe vlerat e trashëgimisë.

Top Channel